Nevil Dede pritet të jetë pasuesi i Edlir Tetovës në stolin e Egnatias. Trajneri kryeqytetas, i cili së fundi ka drejtuar në Kosovë, ka pranuar gjatë emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH se ka pasur bisedime me drejtuesit e klubit rrogozhinas dhe se ditët në vijim mund të ketë një akord përfundimtar.
“Po, është e vërtetë. Kam pasur bisedime këto dy ditë me presidentin Demrozi dhe me drejtorin. Është nder bashkëpunimi me ta, është ekipi kampion në fuqi. Besoj se ditët në vazhdim mund të ketë një akord përfundimtar, por le t’ia lëmë kohës”, – ka thënë trajneri Nevil Dede, kur u pyet nga moderatorja Hygerta Sako për këtë çështje.
Ditën e diel klubi rrogozhinas zyrtarizoi largimin e trajnerit Edlir Tetova. Më parë ishte bërë me dije se ai do të largohej në fund të sezonit, por “divorci” mes palëve është përshpejtuar dhe tashmë drejtuesit e Egnatias e kanë gjetur edhe trajnerin e ri.
Dede ka drejtuar disa skuadra në futbollin shqiptar, mes tyre Tiranën dhe Dinamon.