Disa gabime në profilin e tij në “Instagram” sikur nuk e prezantuan në mënyrën më të mirë me tifozët e tij të rinj, megjithatë, edhe pse i huazuar, Pier Kalulu e ndjen veten lojtar të Juventusit.
Francezi, i cili debutoi për disa minuta me fanellën e re kundër Veronës, është prezantuar zyrtarisht për mediat në një konferencë shtypi.
Si shkuan ditët e para si bardhezi?
Ndjesitë e mia të para janë shumë të mira. Gjeta një grup që më priti mirë. Pastaj fituam, kështu që ndihem edhe më mirë.
Çfarë mendoni se mund t’i jepni Juventusit?
Dua të jap maksimumin tim dhe të sjell karakteristikat e mia difensive, energjinë dhe shpejtësinë në ekip. Dua të sjell përvojë dhe motivim.
Sa ndikoi prania e Tiago Motës në transferimin tuaj?
Pashë trajnerin dhe atë që ai ka bërë me ekipet e tij të mëparshme që luajtën mirë, prandaj mund të them se prania e tij ishte thelbësore. Në telefon fola me dikë që donte të më kishte në grup. Nga brenda shoh një ekip të bashkuar, që punë në një drejtim dhe që synon të jetë agresiv.
A mund të konkurrojë kjo skuadër për titullin?
Është një ekip që gjithmonë dëshiron të bëjë mirë dhe ka për qëllim të fitojë çdo ndeshje. Ne duam të bëjmë më të mirën.
Jeni në momentin më të mirë të karrierës suaj?
Besoj shumë në Zot, nëse vjen një mundësi vjen gjithmonë në kohën e duhur. Kur vjen mundësia për te Juvja, është gjithmonë një mundësi për të bërë mirë. Kam besimin se do të jetë një aventurë e shkëlqyer për të përjetuar.
E prisnit të largoheshit nga Milani?
Asnjëherë nuk e di se çfarë të presësh, sidomos kur je futbollist. Për mua kjo ishte një mundësi e mirë për ta shfrytëzuar.
Çfarë ambienti gjetët në dhomat e zhveshjes?
Kam gjetur lojtarë që e përjetojnë mirë përditshmërinë. Ka një mjedis pozitiv ku bëjmë shaka dhe punojmë shumë. Nuk u befasova nga ajo që ndodhi ndaj Veronës, pasi jam i bindur se është rezultati i punës së javëve më parë. Nuk ka eufori, por është qëndrimi i duhur.
A jeni gati për të konkurruar?
Një ekip që dëshiron të ketë lojtarë të fortë për të qenë konkurrues, do të ketë shumë ndeshje për të treguar veten. Kam fituar titullin pak kohë më parë, është e vërtetë, por kjo është e kaluara dhe nuk duhet parë prapa por vetëm përpara.
Si jeni, ndiheni gati për të nisur titullar kundër Romës?
Është e vërtetë që vitin e kaluar kam pasur disa probleme, por kjo mund të ndodhë gjatë karrierës. Sot ndihem mirë, ndihem në formë dhe më pas për këtë fundjavë është vetëm zgjedhja e trajnerit. Por unë duhet të jem gati për ekipin dhe më pas zgjedh trajneri.
Si e imagjinoni ndeshjen e parë në “Allianz Stadium”?
Herët e para janë gjithmonë emocionuese. Dua të shoh stadiumin plot dhe sa më shumë tifozë. E pres me emocion dhe shpresoj ta përjetoj sa më shpejt.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL