Pas minutave të para në miqësoren me dyer të mbyllura kundër Trentos, për Junus Musahun ka ardhur momenti i prezantimit zyrtar. I blerë për thuajse 20 milionë nga Valencia, mesfushori i ri i “djallit” ka mbajtur një konferencë për shtyp.
Si ndiheni në këto ditë të para si kuqezi?
Po përjetoj emocione pa fund, por kam ardhur për të punuar e për të rritur nivelin tim. Dua që kjo ëndërr të vazhdojë sa më gjatë. Milani po rritet dhe unë dua të jem pjesë e këtij procesi. Për mua është me siguri një mundësi e artë.
Keni folur me Gatuzon për Milanin?
Ai më ka folur disa herë për këtë klub, por shumicën e rasteve më këshillonte për rolin duke qenë se edhe ai ka luajtur në mesfushorë. Ai që bënte shaka më së shumti për transferimin tim edhe kur nuk komentohesha fare, ishte zëvendësi i Rinos, trajneri Riçio. Ja që e pati gojën e mbarë.
Keni folur me Gatuzon pas transferimit?
Jo, por tani që ma kujtuat ju do ta telefonoj patjetër.
Çfarë lloj mesfushori jeni?
Më pëlqen të bëj pak nga të gjitha. Të kthehem për të marrë topin, të dribloj e të jem agresiv. Mendoj se e kam fuqinë për të gjitha këto, por e di se duhet të përmirësohem, sidomos përpara porte.
Dukeni i qeshur. Buzëqeshni më shumë ju apo Çukvueze?
Nuk e di, por me siguri që edhe ai qesh. Është diçka e bukur të kesh tipa të tillë në skuadër.
Nga periferia e një klubi si Xhorxhone te Milani. E kishit menduar ndonjëherë?
As e kisha ëndërruar. Histori shumë e bukur kjo imja sepse kam ndryshuar shumë dhe ja ku u ktheva në Itali, në një klub madhështor si Milani.
Cilat janë ndjesitë e të qenit pjesë e këtij ekipi?
Jemi një grup me shumë cilësi dhe me lojtarë që kanë arritur gjëra të mëdha në futboll. Të punoj me ta për mua është një privilegj. Dua të përmirësohem dhe të mësoj prej shokëve të mi duke synuar të arrij maksimumin.
Si ka qenë fëmijëria juaj në Itali?
Kam kaluar shumë mirë në Itali. Kam luajtur shumë turne, kemi luajtur shpesh dhe më pas kur isha i uritur shkonim në dyqanin e nënës sime për të marrë ushqime. Ia kalova mirë. Mund të përshtatesha menjëherë në Itali duke ditur gjuhën. Vëllai im është milanist, ne gjithmonë i shikojmë ndeshjet së bashku dhe dimë shumë gjëra për Milanin.
Cili nga shokët e skuadrës ju ka bërë më shumë përshtypje?
Janë të gjithë lojtarë niveli të cilët në dy vitet e fundit i kam parë vetëm nga televizori. Të luaj krah tyre më duket një privilegj që më lumturon pa fund.
Keni folur me Piolin?
Flasim çdo ditë dhe po më tregon se si pret që unë të luaj për të ndihmuar ekipin. Edhe trajneri po e lehtëson përshtatjen time në ekip.
Në cilin pozicion do të luani?
Deri më tani jam provuar si i tretë në mesfushë. Trajneri më shpjegon pozicionin, detyrat dhe si të mbërrij në zonën rivale për të tentuar portën.
Cili ka qenë idhulli juaj?
Kam admiruar gjithmonë Jaja Turenë. Ai ka qenë një pikë referimi për mua dhe unë vazhdoj të shoh videot e tij në internet. Mendoj se kishte gjithçka që i nevojitet një mesfushori: forcë, teknikë dhe inteligjencë.
Në cilin aspekt mendoni se mund të përmirësoheni?
Në pasimin e fundit ose në golat e shënuar. Te Milani ka një nivel të lartë taktik dhe më duhet ta pranoj se kam boshllëqe në këtë aspekt. Trajneri dhe stafi i tij po më ndihmojnë.
Ku mund të mbërrijë ky Milan?
Sapo kam mbërritur në ekip, por kam vënë re se ka cilësi. Nëse secili bën më të mirën besoj se do të kemi kënaqësi gjatë sezonit. Personalisht dua ta nis me trofe, por fillimisht mendojmë të punojmë.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL