Ylber Ramadani ka kaluar një rrugëtim të gjatë dhe të vështirë deri te stabiliteti në Lecce. Në një dokumentar të Serie A, mesfushori i kombëtares shqiptare rrëfen fillimet e tij të vështira dhe mbështetjen e babait, si dhe lidhjet me tifozët e shokët e skuadrës: “Kam udhëtuar përreth botës dhe kam mësuar shumë rreth kulturave të ndryshme… Tani po luaj te Lecce, ku ndihem sikur jam në shtëpi. Këtu ka plazh, ka diell, ka gjithçka”.
Ai tregon se të luash për të shmangur rënien nga kategoria nuk është e lehtë: “Presioni shtohet kur ndeshjet nuk shkojnë sipas dëshirës tënde… Jam shumë i lumtur këtu, pasi kam mësuar shumë”. Ramadani flet edhe për lidhjen me babanë e tij: “Në fillim babai nuk më linte të luaja futboll…, por më pas kuptoi se isha i destinuar të bëhesha futbollist. Unë gjithmonë e falënderoj, sepse më pas ai u bë krahu im i djathtë”.
Tifozët e Lecce i kanë dedikuar këngë dy shqiptarëve dhe për këtë Ramadani është shumë krenar: “Më pëlqen shumë kjo gjë, sepse e ndiej pasionin e tifozëve. Bashkë me Medonin duam t’ua shpërblejmë besimin duke shmangur rënien nga kategoria”.
Ai përmend mungesën e Medon Berishës dhe rëndësinë e tij për skuadrën: “Gjuajtjet dhe cilësia e tij janë të pakta në Serie A. Ne e ndjejmë me vërtetë mungesën e tij”. Ramadani është titullar i padiskutueshëm te Lecce dhe pjesë e klubit prej tri vitesh, me kontratë që pritet të rinovohet automatikisht për një vit.