Në sportin kosovar po ndërmerren hapa të rinj për të adresuar rastet e abuzimeve, bullizmit dhe ngacmimeve që prekin sportistët dhe komunitetin sportiv.
Sikur në të gjitha shtete tjera, edhe Kosova nuk bën përjashtim sa i përket rasteve të abuzimeve në sport, por sfide mbetet adresimi dhe gatishmëria për t’i raportuar ato.
Vlora Braha, Zyrtare për Integritet në Sport, në një intervistë për KosovaPress thotë se sportistët kosovar tashmë kanë një dritare të re të hapur pikërisht për rastet e abuzimeve dhe se raportimi aty mund të bëhet në mënyrë anonime.
“Tani është një adresë zyrtare. ku kushdo, nëse veç pak ndihet që diçka nuk është në rregull, mund të ankohet. Ankesa do të jetë anonime, e kemi menduar kështu sepse kur i kemi pyetur, po mendoj kemi marrë pak një tip anketë e kemi bërë dhe kemi pyetur se a po duan ta vendosin edhe emrin edhe mbiemrin, ajo mbetet tani në diskrecionin e personit që e paraqet ose që raporton një rast, ose eventualisht anonime. Një numër shumë i madh kanë thënë që do të ishte më mirë anonime. Kosova është vendi i vogël, gjithmonë është ajo pjesa e paragjykimit, pjesa mos dikush po sulmon ose po e kthen në personale.”, theksoi Braha.
Ajo thekson se Kosova nuk është imune ndaj abuzimeve në sport dhe se rastet konkrete tashmë kanë ekzistuar.
“Hapi më i mirë që është bërë është që keni një adresë zyrtare ku mundeni të ankoheni për gjitha llojet e abuzimeve, nuk ka përjashtime…Ka raste, nuk është Kosova imune ndaj këtyre gjërave… Qëllimet krejt janë që së pari të vetëdijësohen ose të ndërgjegjësohen që kur përdoret një term të dihet për çka po përdoret. Unë aty kam pasur atë telashin më të madh, sepse nuk është mirë vetëm të thuhet është abuzim, ku pe din, prit pak. Shikoni një herë për çfarë lloji të ndonjë incidenti po flasim. Po dua t’i quajë të gjitha incidente derisa t’u jepet tamam emri siç duhet, a po flasim mandej për bullizim, a po flasim për neglizhencë, a po flasim për abuzim, abuzim seksual, psikologjik, sepse ka lloj-lloj”, bën të ditur Braha.
Madje Braha zbulon edhe një rast konkret të abuzimit që ka ndodhur në basketbollin kosovar.
“Po kemi pasur raste, edhe na si komunitet i basketbollit kemi pasur raste. Rastet të cilat trajtohen sidomos kur kemi të flasim për ndonjë, po e nis prej pak më të lehtës, ndonjë bullizëm ose ngacmim ose ngacmim seksual gjithmonë ne e shikojmë se a është diçka që mundet me mbet brenda për brenda Federatës së Basketbollit të Kosovës, a mund të trajtohet vetëm prej Federatës së Basketbollit të Kosovës, apo është shumë serioz dhe duhet të shkohet dhe të lajmërohet edhe policia në këtë rast, ose edhe Prokuroria e Shtetit”, deklaron Braha.
Por si mund të adresohet apo raportohet një rast ngacmimi, bullizimi apo abuzimi në sport?
“Platforma zyrtarisht end është duke u dizajnuar, nuk është domethënë njëqind për qind funksionale mirëpo numri im i telefonit edhe e-mail adresa ime janë pothuajse gjatë njëzet e katër orë në shtatë ditë të javës të hapura edhe aty zakonisht m’i përcjellin raportimet, nëse ka ndonjë domethënë raportim e bëjnë aty, pastaj unë në atë moment që bëhet raportimi nga dikush që ka qenë ose si dëshmitar ose edhe që është pala e dëmtuar, përgjegjësia e atij personi aty mbaron, domethënë pjesën tjetër ne e kemi, pjesën tjetër e ka. unë në këtë rast si zyrtare për Integritet dhe Mbrojtje, por edhe Federata e Basketbollit të Kosovës, ne mandej e marrim e shqyrtojmë”, vijon tutje Braha.
E nga frika se mund etiketohen në publik, Braha tregon se ka raste kur sportistët e abuzuar pasi që raportojnë rastin, tërhiqen duke thënë se nuk duan t’i vazhdojnë procedurat e më tutjeshme.
“Ka raste kur personi që raporton rastin, pastaj tërhiqet“Kemi pas një rast, nëse më lejohet edhe këtë ta them ku personi në fjalë ka bërë një ankesë për dikë në komunitetin e basketbollit, sapo kemi filluar ta bëjmë mbledhjen e provave, unë e bëj zakonisht një raport fillestar, në bazë të atij raportit fillestar, pastaj vazhdoj tutje edhe e ndajmë atë rrugën ku duhet të shkojmë me atë incident, personi në fjalë është tërhequr. ‘Më vjen keq Vlora, po nuk dua të shkojë më tutje. E kam ndryshuar mendjen’. Na nuk e kemi të drejtën ta detyrojmë dikë me zor nëse mundem me u shpreh kështu shqiptarqe, por zakonisht kjo është ajo rruga, rrugëtimi që shkon prej momentit që merret një informatë deri në marrjen e vendimit.”, tha Braha.
Në fund, Braha theksoi se ndikimi negativ i abuzimit dhe bullizimit mund të jetë aq i madh sa që në raste specifike mund ta shtyjë personin e afektuar që të heq dore krejtësisht nga sporti./kp