Sekretari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Nazmi Gashi, ka folur për ekspeditën e vështirë të përfaqësueses së Kosovës në Spanjë, ku sportistët u përballën me pengesa të mëdha në aspektin e përfaqësimit me simbole shtetërore.
Gashi në një intervistë për KosovaPress, ka shpalosur detaje për pengesat që shteti spanjoll ua bëri garuesve kosovarë sapo zbarkuan në këtë shtet.
“Ka qenë sfidë në vete kjo garë, ishte një sfidë jo e këndshme në fillim për shkak se patëm telashe të prezantimi dhe të përfaqësimit atje. Ditën e parë kur shkuam që të regjistrohemi, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Turizmit si dhe Ministria e Sportit kishin dërguar letër tek organizatori që të mos lejohet Kosova të marrë pjesë me simbole, kjo ishte shokuese për shkak se në muajin nëntor të vitit të kaluar ne ishim në Pamplona në Spanjë dhe ishim të përfaqësuar me simbole por kohëve të fundit diçka ka lëvizur në aspektin sportiv, ne i pamë edhe problemet me ekipin e futbollit që ishin”, theksoi fillimisht Gashi.
Ai theksoi se delegacioni i Kosovës nuk pranoi të marrë pjesë në garë pa barazi të plotë dhe pas pesë orësh negociata u arrit një kompromis, ku u hoqën të gjithë flamujt e shteteve pjesëmarrëse.
“Ne ngulëm këmbë që të mos marrim pjesë fare në çoftë se nuk jemi të barabartë sikur të tjerët. Diku rreth pesë orë me vonesë pasi që i kemi shteruar të gjitha mundësitë, pasi që edhe kryetari i Komitetit Olimpik ka telefonuar, pasi që ne u kemi bërë presion të vazhdueshëm të gjithë akterëve që janë, e arritëm një marrëveshje që të hiqen të gjithë flamujt shteteve si brenda, ashtu edhe jashtë sallës dhe të jemi të barabartë e të marrim pjesë. Me ato kushte normalisht që ne pranuam, kemi hyrë në garë dhe me rezultat jemi befasuar”, vijoi më tutje Gashi.
Sipas tij, situata e krijuar u shndërrua në forcë shtesë për garuesit kosovarë, të cilët u motivuan për të dhënë paraqitje të jashtëzakonshme kundër 16 shteteve pjesëmarrëse.
“Kemi parë një rezultat të jashtëzakonshëm, një rezultat të paparë deri më tani në këtë nivel të garave. Pjesëmarrëse ishin 16 shtete atje me rreth 600 paraqitje, një garë shumë e fortë, por patëm një paraqitje shumë të mirë. Ndoshta ndikoi edhe ky presioni dhe garuesit e morën dhe e kthyen në motivim dhe patëm një garë shumë të mirë”, thotë Gashi.
Gashi bëri të ditur se Kosova u rendit e dyta në ranglistën e përgjithshme me 16 medalje, prej tyre 7 të arta, 4 të argjendta dhe 5 të bronzta, ndërsa në disiplinën e “kumiteve” doli e para, madje edhe para Spanjës.
“Atje kemi arritur në ranglistën e përgjithshme që të radhitemi në vendin e dytë, pas Spanjës…Përndryshe, në aspektin e ‘kumiteve’, ne kemi qenë të parët në ranglistën e përgjithshme. Në çoftë se i marrim vetëm në ‘kumite’, kemi qenë të parët, pra edhe para Spanjës. Kemi pasur një performancë të shkëlqyeshme, kemi arritur shtatë medalje të arta, katër medalje të argjendta dhe pesë të bronzta” deklaron Gashi.
Pas këtij suksesi historik, Gashi bëri të ditur se përfaqësuesja e Kosovës në Karate tashmë është duke u përgatitur që të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Karatesë i cili mbahet në muajin nëntor të këtij viti në Kairo dhe synimet e Federatës së Karatesë së Kosovës janë që edhe nga ky kampionat ekipi të kthehet me ndonjë medalje elitare.