Revolucion total. Tiago Mota përmbysi Juven në 55 ditët e tij të para bardh e zi. Nga 10 korriku deri në fillim të shtatorit, praktikisht gjithçka ndryshoi në Kontinasa.
Nga parimet e lojës te qëndrimi, nga korniza (4-2-3-1 në vend të 3-5-2) te interpretuesit, falë tetë blerjeve dhe transfertave të shumta të kryera nga drejtori teknik Kristiano Xhuntoli. “Zonjë” e re dhe hierarki të reja në dhomat e zhveshjes.
Duke filluar nga kapitenët. Tiago e nisi nga Federiko Gati, me shiritin e Danilos në tre ndeshjet e para të kampionatit: Komo, Verona dhe Roma. Por mbrojtësi italian, i cili reflekton frymën që kërkon tekniku nga skuadra e tij në ndeshje dhe stërvitje, është vetëm një nga liderët e epokës së re. “Senati i Juventusit” është më i madh dhe përfshin edhe Gleison Bremer, Andrea Kambiazo, Manuel Lokateli dhe Dushan Vlahoviç, të cilët tashmë janë bërë besnikë të 42-vjeçarit italo-brazilian. Gjatë rrugës, do të jetë në dorën e tyre të mbajnë shiritin në krah dhe të përfaqësojnë Juventusin para tifozëve, kundërshtarëve dhe arbitrave.
ADN JUVENTINE – Nga Gati te Lokateli duke kaluar te Vlahoviç: lojtarë dhe role të ndryshëm, por të përbashkët të gjithë kanë një të kaluar pak a shumë të afërt në Torinon bardhezi. Lokateli është në ekip që nga vera e vitit 2021, teksa serbi iu bashkua në janar të 2022-shit. Gati dhe Bremer janë në sezonin e tyre të tretë në shërbim të “Zonjës”. Kambiazo është në vitin e dytë dhe në verë e meritoi rinovimin për atë që tregoi në fushë dhe në dhomat e zhveshjes.
Nuk është rastësi që Mota filloi prej tyre ciklin e tij. Trajneri nuk humbet asnjë rast për të falënderuar të veçantë këtë grup lojtarësh, të cilët në 50 ditët e para të aventurës ishin të dobishëm edhe në transmetimin e frymës së Juventusit te lojtarët e rinj dhe të ardhurit nga merkato. Nga qëndrimet në stërvitje dhe ndeshje e deri te sjellja jashtë fushe. Ish-trajneri i Bolonjës e bëri Gatin me shokë më të përgjegjshëm dhe rezultati është ai i admiruar nga tri javët e para të kampionatit.
Nëse Juventusi është në krye të tabelës me 7 pikë, së bashku me Interin, Torinon dhe Udinezen, dhe “revolucioni Mottian” po avancon më shpejt se sa pritej, kjo është edhe për shkak të ndihmës dhe mbështetjes totale që Tiago ka marrë nga senatorët e rinj.
ALTERNIM — Mota beson dhe fokusohet shumë te koncepti i skuadrës dhe në këto dy muajt e parë ai e ka dëshmuar këtë edhe me zgjedhje të qarta dhe befasuese: nga “largimi” i Kiezës (shitur te Liverpuli) deri te promovimet në formacion të të rinjve Mbangula dhe Savona. Të gjithë për një, një për të gjithë. Kështu do të ndodhë edhe për shiritin e kapitenit, i cili do të kalojë nga njëri krah në tjetrin.
Gati ishte i pari dhe fillimi i Juventusit ishte i shkëlqyer, por gjatë sezonit mbrojtësi do të kalojë me shokët e tjerë të skuadrës, duke ua kaluar gjithashtu stafetën Bremer, Lokatelit, Kambiazos dhe Vlahoviçit. Pas “kapitenëve”, po rritet 19-vjeçari Kenan Jildiz, një tjetër i paprekshëm për trajnerin dhe klubin, i shpërblyer me akoma më shumë përgjegjësi në gusht përmes zgjatjes së kontratës (deri në 2029) dhe fanellës me numrin 10, që dikur qëndronte mbi supet e legjendave Alesandro Del Piero, Robi Baxho apo Mishel Platini.
PANORAMASPORT.AL