Interi po e ndan kreun e Serisë A me Milanin, por statistikat flasin për një dominim të zikaltërve në këtë fillimsezoni në kampionat.
Sulmi i Inzagit po kërcënon të gjithë rivalët dhe këtë e tregojnë fare mirë 19 golat e shënuar në 7 jave, më shumë se çdo skuadër në Serinë A dhe sigurisht që meritën për këtë e ka kryesisht Lautaro Martinez dhe 9 golat e tij. Argjentinasi është golashënuesi më i mirë i skuadrës, por nuk është i vetmi zikaltër që kryeson një klasifikim individual. Shkëlqimit të kapitenit i bashkohet edhe ai i shokut të repartit Markus Turam si lojtari me më shumë asiste, por edhe portieri dhe mbrojtësit, të gjithë në krye në kampionat për statistika të veçanta.
REPARTI OFENSIV – Lautaro ka shënuar 9 gola në 7 ndeshje dhe me “pokerin” ndaj Salernitanës hyri në histori si i pari që shënon 4 gola si zëvendësues në Serinë A. Edhe pse askush nuk ka bërë më mirë se ai në sezonin aktual, ka pasur 4 lojtarë të tjerë që kanë bërë më mirë se ai në të shkuarën në 7 javët e para. Antonio Anxhelilo (Inter, 14 gola në 1958/1959), Pedro Manfredini (Roma, 11 gola në 1960/1961), Silvio Piola (Lacio, 10 gola në 1942/1943), Paulo Dibala (Juventus, 10 gola në 2017/2018) kanë pasur një rendiment më të lartë se “demi”, që gjithsesi gjatë këtij edicioni nuk krenohet vetëm për golat. Mesatarja e tij me 1 gol çdo 61 minuta dhe 12 goditjet në portë e kanë bërë të jetë më të mirin e Serisë A në këtë drejtim, duke konfirmuar që është një sulmues total dhe arma më e fortë e Interit.
Nga ana tjetër, edhe Turam kryeson renditjen e lojtarëve që kanë dhënë më shumë asiste në Serinë A me 4 të tillë, me dyshen e sulmit që po bëhet gjithmonë e më e rrezikshme. Rekordet e individëve zikaltër përfshijnë edhe Jan Zomerin si portierin që e ka mbajtur më shumë herë portën e paprekur me 5 të tilla, ashtu si mbrojtësit Alesando Bastoni dhe Federiko Dimarko. Ky i fundit, në korsinë e majtë ka arritur të kryejë plot 14 krosime, më shumë se kushdo tjetër në kampionat, ndërkohë që më mirë se të tjerët ka bërë edhe Bastoni për sa u përket rasteve të krijuar, 5 të tillë. Shifrat janë një shenjë se sa protagonistë janë në skuadrën e Inzagit, të aftë për të qenë vdekjeprurës në sulm, të fortë në mbrojtje dhe për të pasur një lojë që përfshin të gjithë lojtarët në fushë, me qëllimin e vetëm për fitore dhe trofe.
NISLI GJINI-PANORAMASPORT.AL