Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Esport3” ku ka folur për të gjithë realitetin e klubit katalanas, notat e sezonit, Lionel Mesin, marrëdhëniet “e acaruara” mes Ksavi Hernandezit e Pep Guardiolës.
Duke qëndruar te Lionel Mesi, presidenti i Barcelonës e ka bërë të qartë se ai është i vendosur që t’i dhurojë një lamtumirë si duhet lojtarit që ai e cilëson si më të mirin që ka luajtur ndonjëherë për Barcelonën. Mes të tjerave Laporta ka folur dhe për merkaton dhe rivendosjen e urave të komunikimit me La Ligën pas një periudhe shumë mujore përplasjesh të forta.
LAPORTA PËR AFRIMET “VIP” – “Të gjithë lojtarët e mëdhenj duan të vijnë te Barça. Tani maksimumi në klub është të jesh efikas dhe të kursesh. E pranojmë se kemi një nivel shumë të lartë të shpenzimeve dhe duhet të kursehemi disi. Sa për nënshkrimet po ju jap një rast konkret që tregon peshën që Barcelona ka si klub. Gyndogan ka preferuar Barçën në vend të milionave të Sitit. Ka shumë lojtarë të mirë që duan të vijnë, por ne nuk duhet të ndalojmë projeksionin e të rinjve”.
STADIUMI “MONTJUIÇ” – “Jam i vetëdijshëm se ky stadium do të gjenerojë pakënaqësi, por ne do të bëjmë të pamundur që ky stadium të kthehet në magjik për Barcelonën”. …
PËR DEKON – “Deko është ai që ka përgjegjësinë sportive dhe në komisionin e sportit është Mateu, i cili është autoriteti më i lartë në menaxhimin e sportit. Ata që kanë vendimin e fundit janë bordi drejtues. Në 99% të rasteve do të ndjekim Dekon, Mateun (Alemani) dhe Ksavin. Për fat La Liga na ka lejuar të kryejmë operacione për sezonin e ardhshëm pa ndikuar në ‘Fair Play’ Financiar”. …
PËR KROJFIN – “Johan Krojfi është më i miri, më i madhi nga të gjithë. Ai është referenca ime. Në situata të rëndësishme mendoj se çfarë do të bënte Johani. Ne jemi shumë krojfistë. Ai na mësoi një mënyrë jetese që na pëlqen. Ai ka qenë mësues, do të jetë gjithmonë dhe unë e kam në kujtesën time. Unë mendoj se Johan do të bënte atë që po bëjmë ne: të marrë vendime dhe të jetë i guximshëm. Është e vërtetë që nuk e kemi më për të na dhënë këshilla, por kemi mundur të mësojmë mirë prej tij”. …
PËR MESIN – “Jam i bindur se Mesi donte të kthehej në Barça. Ai ka kaluar një periudhë shumë të vështirë në Paris. Babai i tij më tha se nuk donte ta kishte këtë presion. Katalanasit e respektojnë atë. Ne e mirëkuptojmë vendimin e tij dhe i urojmë të bëjë më të mirën në Majami. Barça do të jetë gjithmonë shtëpia e tij. Dita e hapjes së ‘Spotify Camp Nou’ të rikonstruktuar do të ishte një datë e shkëlqyer për t’i dhënë një lamtumirë siç duhet Leo Mesit. Këto janë vendime që duhet të merren si president, Barça është lart, por ju keni gjithashtu një shpirt futbolli dhe unë kam e kam njohur qysh i vogël. Mu desh të vendosja institucionin mbi gjithçka edhe pse kjo solli shumë trishtim”. …
PËR MODELIN “BAJERN” – “Unë nuk jam pjesëmarrës në këtë formulë. Oliver Kahn më tha se ky model i përzier nuk zgjidhte asgjë për ta. Modeli ynë është një vlerë e shtuar. Kompanitë amerikane e vlerësojnë shumë këtë”. …
PËR TEBASIN – “Kemi pasur shumë përplasje e fërkime mes nesh, por në kohët e fundit ne kemi ndërtuar ura komunikimi. Nuk ka qenë aspak e lehtë, megjithatë e kemi gjetur një rrugëzgjidhje. Jam i lumtur që kam qenë në gjendje të flas me të dhe të vendos të gjitha çështjet në tavolinë. Nuk mund të kemi një përballje të përhershme me institucionet”. ….
PËR RASTIN “NEGREIRA” – “E gjitha kjo është një fushatë shpifjeje e paprecedentë. Nuk ka korrupsion arbitrazhi. Me këto fushata ata po përpiqen të dominojnë Barçën. Vazhdoj të jem i mendimit se prokuroria ka nxituar, këtë e them me gjithë respektin. Ne do të bashkëpunojmë me drejtësinë dhe jemi të parët të interesuar për të mësuar faktet. Nuk ka korrupsion arbitrazhi por mund të ketë derivate të tjera. Ata e kanë parë që nuk ka asgjë kundër Barcelonës. Ne do të luftojmë deri në fund. Ne kemi qenë në grindje me La Ligën dhe tani kemi rifilluar të normalizojmë marrëdhëniet. Ka më shumë mirëkuptim dhe besim të ndërsjellë”. …
PËR LIGËN E KAMPIONEVE – “Kam pasur takime me presidentin e UEFA-s, Ceferin. Dikush dëshironte të përfitonte nga rasti ‘Negreira’ për të na përjashtuar nga Liga e Kampioneve. Nuk mund të dënohemi para se të gjykojmë veten. Kemi aplikuar për të luajtur në Champions League dhe në parim ka asnjë lajm se do të na bllokojnë rrugën. Ne do të kishim mundësinë të apelojmë për të mbrojtur interesat tona”. …
PËR LARGIMET – “Vitin e kaluar tashmë e kemi lënë pas dhe të gjithë e dimë se ne ishim shumë më keq. Ne kishim një ofertë prej 100 milionë për De Jong dhe bëmë mirë që nuk e pranuam. Ka lojtarë që janë kolona e klubit dhe që nuk janë në treg. Kemi marrë oferta për Pedrin, De Jongun, Arauhon, Kristensenin, Ansu Fatinë…” …
PËR KATARIN – “Në Katar kanë pasur gjithmonë interes për futbollin dhe Barçën. Ne po kërkojmë mundësi biznesi për klubin për të promovuar markën dhe asetet tona. Nuk duhet të mjaftohemi me kaq, ne duhet t’i bëjmë asetet tona fitimprurëse. Unë i qëndroj parimeve të mia. Është e vërtetë që ka lëvizje për të hapur kanale komunikimi. Na kanë kërkuar miqësore me ekipin e femrave dhe kjo është një shenjë se marrëdhëniet kanë nisur të vendosen dhe se ata kanë pranuar të hapen ndaj botës dhe futbollit të femrave. Do të ishte mirë për barazinë gjinore dhe të të drejtave në këto vende”. …
PËR “LA MASIA”-n (Akademia) – “Janë një sërë lojtarësh me një perspektivë të shkëlqyer. Pau Prim, Mark Bernal… Ne kemi lojtarë të mrekullueshëm. Le të shpresojmë që disa prej tyre të vazhdojnë të promovohen. nëse në mesfushë do të kemi probleme nuk do të ngurrojmë t’i japim shansin të rinjve tanë. Ne nuk duam të ndërpresim ëndrrat e tyre, por t’i promovojmë ata”. …
PËR BROZOVIÇ ROMEU – “Brozoviç është një lojtar që na intereson, ndoshta më i përballueshëm edhe ekonomikisht, por ai ka një propozim nga Arabia Saudite dhe ne nuk do të hyjmë në një garë ofertash. Sa për Oriol Romeun kam vendosur që gjithçka t’ia lë në dorë Dekos dhe Alemanit. Janë një sërë emrash që u pëlqejnë dhe ata janë duke punuar për të”. ….
PËR KIMISH-ZUBIMENDI – “Këto janë operacione që nuk po i shqyrtojmë në këtë moment, për shkak të nivelit të peshës së madhe financiare që të kushtëzojnë”. ….
PËR GYNDOANIN – “Ai është një lojtar që ka preferuar të shkojë në një klub prestigjioz dhe e ka vënë Barcelonën përpara parave të Sitit. Këtu ka funksionuar shumë mirë. Ksavi gjithashtu i ka dhënë besim lojtarit. Ne kemi nënshkruar me një lojtar me përvojë. Ai gjithmonë kishte ëndërruar të luante në një ekip të madh. Po vjen një kampion europian, një lojtar me përvojë të dëshmuar”…..
PËR KSAVIN – “Ai ka fituar titullin në La Liga dhe Superkupën e Spanjës me autoritet. Ka njerëz që mendojnë se po lavdërojmë shumë Ksavin, duke harruar legjenda të tjera të klubit. Ndonjëherë kemi folur për ndonjë hatërmbetje (për një mosmarrëveshje të Ksavit dhe Guardiolës), por nuk mendoj se ka. Te Barça ka ndjekës të Pepit që mendojnë se duke lavdëruar Ksavin ne po zhvlerësojmë Pepin. Ky konflikt nuk ekziston. Këto gjëra nuk janë të mira për tifozët e Barcelonës”. ….
PËR RINOVIMIN E KSAVIT – “Ksavi ka një kontratë dhe e di se ai është trajneri më i mirë për Barçën. Ai është një person i madh dhe e njeh klubin, ai ndihmon shumë në punë. Do të kemi kohë të flasim dhe për rinovimin e tij. Së pari janë disa prioritete dhe Ksavi e kupton këtë. Ne do të flasim me qetësi. Jam i bindur se gjithçka do të shkojë si duhet dhe bashkëpunimi me Ksavin do të jetë jo i shkurtër. Kemi folur për rinovimin, por nuk kemi caktuar datë”. ….
PËR VIKTOR ROKEN – “Di të them se po punojmë”. ….
PËR NOTAT E SEZONIT – “Nuk më pëlqen të vendos shënime për veten time. Lërini të tjerët t’i vendosin. Ne po punojmë, jemi në rrugën e duhur dhe po përmirësohemi. Kjo është çfarë vlen për mua, pastaj notat t’ua lëmë të tjerëve. Gjithsesi, sukseset e arritura nga Barcelona në sezonin që u mbyll flasin vetë”. …
PËR SUKSESET – “Objektivi parësor ishte fitimi i titullit në La Liga për ekipin e parë të meshkujve. U arrit me autoritet. Po ne fituam edhe trofe të tjerë në liga të tjera ku kemi qenë pjesëmarrës. Skuadra e femrave fitoi Ligën e Kampioneve. Gjithçka është shumë mirë, por ne duam më shumë. Ne duam për të ruajtur hegjemoninë në ligat kombëtare dhe për të pushtuar Europën”. ….
PËR PUNIMET NË STADIUM – “Di që ka pasur paragjykime për kompaninë turke që po ndërton stadiumin tonë. Por ne jemi të kënaqur me Limakun. Të gjithë janë të kënaqur. Kompanitë që konkurruan nuk i pranuan kushtet që ne vendosëm. Është një kompani shumëkombëshe turke me punime të mëdha inxhinierike. Metodologjia e Limakut përshtatet mirë. Deri në fund të 2024 do të kemi 70% kapacitet. Do të jetë një trashëgimi që do të lëmë për fëmijët dhe nipërit tanë”. …
PËR KRITIKAT NGA FONT – “Ne që punojmë brenda klubit e dimë që jemi shumë më mirë se dy vite më parë, në të gjitha fushat. Unë mund të respektoj mendimin tuaj, por nuk është e vërtetë. Jemi në rrugën e duhur dhe po përmirësohemi me një shpejtësi konstante dhe më të lartë sesa pritej. Njerëzit votuan për mua sepse më njohin. Jemi aktivë dhe marrim vendime. Ne kemi ristrukturuar borxhin dhe e kemi kaluar në afat të gjatë, me një interes më të ulët. Në sport, është e vetëkuptueshme se kemi arritur suksese. Ne e kemi fituar sërish titullin në La Liga. Sa i përket çështjes sociale, frekuentimi është rritur dhe fansat janë të emocionuar. Kemi rritur faturimin me 20%. Jemi të përfshirë në projekte ku duhet të përballemi me institucionet siç është Superliga, por po rifillojmë të vendosim një marrëdhënie të mirë me institucionet. Me La Ligën kemi rikuperuar marrëdhëniet dhe me UEFA-n ka dialog. Me FIFA-n, me Infantinon, ka një marrëdhënie shumë të mirë”.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL