Komentimi sportiv nuk është vetëm një zë mbi lojën, është një art që kërkon përgatitje, përqendrim dhe pasion të madh. Puna e komentatorit të bën të përballesh me sfidat, përgjegjësitë dhe emocionet që e shoqërojnë këtë profesion dinamik.
Nga kabinat e vogla të transmetimit deri te netët pa gjumë me ndeshje që zgjasin me orë, janë vetëm disa nga peripecitë që i gjen para vetes ai që zgjedh këtë profesion.
Njëri nga komentatorët e sportit në Kosovë, Gramos Pylla, në një intervistë për KosovaPress, flet për seriozitetin dhe përgjegjësinë që kërkon puna e komentatorit, sidomos në transmetimet live. Sipas tij, gabimet nuk kanë vend, sepse ndryshe nga puna në studio, aty nuk ka rikthim apo redaktim.
Pylla: Në komentim, hapësira për të gabuar është zero
“Absolutisht, sidomos në ato muajt e parë për shkak se tani komentimi dhe këto transmetimet e drejtpërdrejta janë punë me shumë përgjegjësi. Marzha e gabimit është shumë i vogël, për të mos thënë fare ngase ato gabime nuk përmirësohen siç është në studiot e ndryshme ku bëhet incizimi dhe mund të kthehen disa sekuenca mbrapa. Ka qenë sfiduese për shkak se ajo rrjedhshmëria e të folurit, ritmi, emocionet, ambienti… Kabinat zakonisht janë të vogla, disa më të mëdha që ta japin atë përshtypjen që je në atë ambientin e mbyllur por kur i vendos dëgjueset dhe futesh në atmosferën e lojës, duket sikur je vetë në stadium apo eveniment të çfarëdo sporti që e komenton. Ka qenë sfiduese, mirëpo siç e potencova, kemi pasur njerëz shumë profesionistë mbrapa. Si çdo komentator që nis e ka atë marzhën ku mund të gabojë në disa situata, por me përvojën të gjitha këto mësohen”, thotë fillimisht Pylla.
Duke folur për përgatitjet para një ndeshjeje, Pylla shpjegon që puna e komentatorit nis shumë përpara startit të saj.
Pylla: Na duhen së paku dy orë përgatitje për ta komentuar një ndeshje
“Zakonisht kur kemi transmetim brenda ditës, ne përgatitemi një orë e gjysmë, eventualisht dy orë ma herët, vijmë te kjo pjesa ku po e sheh këtu. Kjo është kabina, e kemi një laptop ose një kompjuter, ku ne fillojnë me t’i kërkojmë disa prej informatave të fundit, ngase shumica e ndeshjeve informatat kryesore bazë i i japin një orë ose dy orë para ndeshjes, ta themi cili lojtar është i gatshëm, cili ka me luajë, cili mundet me qenë i lënduar gjatë asaj pjese të stërvitjes teksa ato statistika bazë, renditja, sa pikë i ka, cilat janë fitoret, këtu mund t’i përgatisim edhe paraprakisht në shtëpi. Mirëpo ideja është që me hi me një pothuajse informacion të plotë, të cilin ti do ta ushqesh shikuesin përgjatë nëntëdhjetë minutave”, thotë Pylla.
Në një nga pyetjet më të shpeshta që i drejtohet është ajo në lidhje me identifikimin e emrave të lojtarëve në fushë, Për këtë, Pylla sqaron se memorimi i emrave të lojtarëve vjen natyrshëm, duke qenë se shumë skuadra komentohen vazhdimisht gjatë vitit, emrat e tyre bëhen pjesë e përditshmërisë së komentatorit.
Pylla: Emrat e lojtarëve i mësojmë për shkak se përsëriten në shumë ndeshje
“Shpeshherë më pyesin ‘a iu dalin emrat aty poshtë?’, apo ‘si i mbani mend gjithë këto emra?’, për shkak se siç e potencova, diku janë treqind transmetime që mesatarisht një komentator i një platforme i cili arrin me i komentu disa sporte…Kur i ke treqind ndeshje në vit, pothuajse tetëdhjetë përqind të ditëve të vitit është shumë problematike të gjithë ata lojtarëve me i mbajtë mend, mirëpo mos të harrojmë që ndeshjet fillojnë duke u përsëritur. Për shembull të bie një skuadër një skuadër ta komentosh dymbëdhjetë herë, pesëmbëdhjetë herë në vit dhe është e pamundur mos me i mësuar të gjithë emrat e lojtarëve”, bën të ditur Pylla.
Kur diskutohet për paanshmërinë, Pylla pranon që komentimi i skuadrave për të cilat ka simpati kërkon profesionalizëm të lartë. Në raste kur e ndjen se kjo mund ta ndikojë objektivitetin e tij, preferon të kërkojë të mos e komentojë fare atë ndeshje.
Pylla: Nëse nuk mund ta komentojë skuadrën që e pëlqej, kërkoj të lirohem nga ajo ndeshje
“Në ndeshjet e futbollit ndërkombëtar, mua më ka rastisur të komentojë shpeshherë edhe kombëtaren që e pëlqej, edhe skuadrën që e pëlqej. Ideja është që te shikuesi si mos me transmetu ndoshta pjesën e tifozit. Unë nuk e kam çështje problematike, kur hy në këtë kabinë, unë futem në profesionin tim dhe mundohem me mbaj profesionalizmin në majen më të lartë. Në momentin që unë nuk kisha mundur me e komentu një skuadër të cilën unë kam simpati, atëherë kisha komunikuar te përgjegjësi jonë dhe kisha thënë mos ma lë se realisht mundem të tingëlliojë si tifoz i asaj skuadre”, deklaron Pylla.
Në fund, ai ndalet te sfidat fizike dhe mendore që vijnë me ndeshjet që shkojnë në shtesë, sidomos ato që luhen pas mesnatës. Edhe pse lodhëse, Pylla thotë se emocionet e fundit të ndeshjeve dhe ritmi i lartë e mbajnë gjallë komentatorin deri në fund.
Pylla: Vazhdimet janë pjesa më e lodhshme për një komentator
“Kur jemi te pjesa e vazhdimeve, siç thotë populli në fjalën, unë jam pak ‘baksus’ në këtë pjesën e vazhdimeve, ngase një e treta ndeshjeve mua më shkojnë në lojën shtesë, sidomos ndeshjet e basketbollit…Normalisht janë të lodhshme, sidomos kur kemi ndeshje pas mesnatës, ndeshje të NBA, të cilat realisht për kohën tonë lokale është shumë e vështirë me i komentu, ngase janë pas mesnate dhe ajo pjesa ku ne realisht jemi në gjumë edhe dinë që ka pak shikues që të ndjekin, vetëm ata pasionantë më të mëdhenj të basketbollit edhe kur ndeshja shkon në vazhdime, zgjat diku tre orë, është realisht shumë e lodhshme, edhe pse kjo vazhdimet absolutisht e ka pastaj atë atraktivitetin, ngase është ndeshje shumë dinamike, shumë interesante edhe ndoshta këtu, ky miks të mban gjallë, që ti mos me e humb energjinë, ngase është shumë e rëndësishme që në këto ndeshje interesante, fundi me qenë shumë më energjik sesa që ka qenë fillimi”, thekson në fund Pylla.
Gjithë këtë lodhje e përkushtim, Pylla thotë se e thyen dhe e ndihmon pauza prej 15 minutave në ndeshjen e futbollit, gjë të cilën ai thotë se komentatorët e presin me padurim.