Marrëveshja mes Interit dhe Udinezes për Lazar Samarxhiçin është anuluar përfundimisht. Në fakt, tentativat e fundit për negociata të zikaltërve me të atin dhe agjentët e futbollistit, të cilët kishin bërë kërkesa të reja financiare, duke kërkuar komisione më të larta se ato të rëna dakord, tashmë me ish-menaxheren Rafaela Pimenta, dështuan.
Futbollisti tashmë është rikthyer në Udine, ku do të stërvitet veçmas, me Udinezen që është po aq e tërbuar sa Interi dhe që pret të marrë oferta të reja, me Uest Hemin, Napolin, Juventusin dhe Lacion të interesuar. Lojtari kishte kryer më 10 gusht vizitat për Interin, por firmat mbi kontratë nuk erdhën kurrë. Interi ishte i palëkundur nga marrëveshja fillestare dhe në asnjë moment nuk u tërhoq prej saj, siç konfirmoi drejtori sportiv i zikaltërve, Piero Auzilio.
“E keni treguar ju mediat gjithë mënyrën si ka rrjedhur ngjarja. Kishim një akord me Udinezen, por pastaj Samarxhiç donte të ndryshonte disa gjëra”, tha drejtuesi për mediat. Në këtë situatë, Stefano Sensi do të qëndrojë me zikaltrit, pasi ka qenë protagonist i një faze përgatitore të shkëlqyer. Gjithsesi, Samarxhiç është vetëm i fundit i një liste të gjatë transferimesh që kanë dështuar në minutën e fundit në Itali, nga akordi i Milanit me Sitin për Kakanë e Tevezin (që përfundoi te Juvja) te shkëmbimi Vuçiniç-Guarin, që Juve dhe Inter donin të realizonin.
MILINKOVIÇ-SAVIÇ – Pasi u paraqit në selinë e Fiorentinës, shpërtheu në lot, nuk firmosi kontratën dhe më pas shkoi te Lacio.
PATRIK SHICK – Pas sezonit të mrekullueshëm te Sampdoria, u zgjodh nga Juvja. Në momentin e vizitave, problemet me zemrën bllokuan gjithçka.
MALKOM – Roma dhe Bordo gjejnë akordin për 40 milionë euro dhe vjen edhe njoftimi, deri në ofertën e Barcelonës që prish gjithçka.
ZHERVINJO – Roma gjen një marrëveshje për ta shitur tek AlXhazira, por kërkesat e shtrenjta të sulmuesit(një shtëpi luksoze në plazh, një shofer privat dhe një avion) hedhin në erë gjithçka.
BIABIANI – Mbrojtësi u ble nga Milani dhe pozoi me shallin e klubit. Zakardo ama vendos të refuzojë Parmën dhe të anulojë gjithçka.
LUIZ ADRIANO – Lojtari fluturon për në Kinë, por transferimi nuk realizohet. “Ata donin të më jepnin më pak sesa ishte rënë dakord”, shpjegoi qendërsulmuesi i Milanit.
SISOKO – Ardhja e mbrojtësit të Portos te Milani dështoi pas testeve që nxorën në pah probleme me dhëmbët me pasoja në qëndrim.
BERBATOV – Lojtari arriti marrëveshje me Fiorentinën dhe mori një aeroplan nga Mançesteri, por më pas me një lëvizje të papritur vendosi të qëndronte në Angli dhe firmosi me Fulhamin.
VUÇINIÇ-GUARIN – Juve dhe Inter gjejnë një marrëveshje për një shkëmbim, por në minutën e fundit Tohir tërhiqet i bindur nga protestat e tifozëve të tij.
SORIANO – Ka një marrëveshje për kalimin te Napoli dhe kalohet në hartimin e dokumenteve. Dy orë më pas konstatohet gabim në kontrata. Drafti i ri mbërrin 4 minuta pas mbylljes zyrtare të merkatos dhe në fund Soriano mbetet te Sampdoria.
KAKA – Gjithçka ishte zgjidhur me Sitin për mbi 100 milionë euro, por tifozët e Milanit e hodhën të gjithën në erë.
PATO – Milani ia shet PSG-së për 35 milionë, por nuk realizohet, pasi lojtari, i lidhur me Barbara Berluskonin, vendos të qëndrojë.
TEVEZ – Galiani ishte gati të nënshkruante, por qëndrimi i Patos në Milano bën që kushtet teknike dhe ekonomike të mos ekzistojnë dhe argjentinasi të shkojë nga Siti te Juve.
SUAZO – Kaljari ia premton Interit dhe lojtari kryen vizita, por Milani futet dhe shpall blerjen. Megjithatë, sulmuesi qau në telefon me presidentin Çelino dhe i tha se donte të respektonte fjalën e dhënë ndaj zikaltërve.
BONAVENTURA – Ai mbërrin në Milano në ditën e fundit të merkatos për të zgjidhur detajet me Interin, por Milani arrin një marrëveshje me Atalantën dhe lojtari zgjedh të nënshkruajë për kuqezinjtë.
KASTROVILI – Lojtari i Fiorentinës nuk i kaloi testet mjekësore me Bornmëthin dhe negociatat u ndërprenë pas akordit.
PANORAMASPORT.AL