Milani nuk shë nonte tre gola në 45 minutat e para që prej majit të këtij viti kur sfidonte Sampdorian. Ndaj Torinos kuqezinjtë konfirmuan forcën e tyre ofensive, por edhe brishtësinë në goditje standarde. Stefano Pioli ka analizuar situatën e ekipit të tij në një intervistë për televizionin e klubit.
A jeni edhe ju i habitur nga rendimenti i skuadrës?
Jo, sepse kam thuajse dy muaj që i shoh se si stërviten. Kam parë hapa përpara çdo dite dhe për sa punojnë e sa inteligjentë janë, e dija që nuk do të duhej shumë kohë për të dalë në lojën tonë. Po lind një grup cilësor, me elementë që sakrifikohen për njëri-tjetrin.
Trajneri i Torinos tha se jeni shumë më të fortë se vjet…
Jemi ndryshe, por nga vullneti, motivimi dhe dëshira për punë jemi të njëjtët. Është shumë herë për mendime aq të vendosur, por skuadra ime ndaj Torinos më pëlqeu. Lëvizëm shumë, e ndonjëherë mbase më tepër nga sa nevojitej. Rëndësi ka të mos humbim ekuilibrin dhe distancat.
Si i komentoni pikët e plota?
Dy fitore radhazi janë pozitive, por gjëja më e bukur është dëshira për të dominuar. Pësuam edhe një gol, i cili tregon se mund të jemi më solidë e të vëmendshëm në disa situata.
Thoni se jeni të plotë, por a mund të tregoni cilët janë zëvendësit e Zhirusë dhe të Kruniçit?
Kushdo që do të mungojë do të zëvendësohet nga një koleg. Mbase jo me të njëjtat karakteristika, por me diferenca të lehta. Djemtë kanë treguar se mund të interpretojnë ndeshjet edhe në role që mbase s’u përkasin.
Pra, nuk keni nevoja merkatoje?
Mendoj se kam një organikë të thellë dhe se mund të përpiqemi të jemi konkurrues në dy turne të vështira si kampionati dhe Champions-i. Sigurisht, nëse Teo nuk luan, do të luajë një lojtar me karakteristika të tjera dhe në fazën sulmuese do ta bëjmë të bëjë gjëra të ndryshme. Atëherë mund të kemi ekuilibra, por nuk mendoj se do ta ulnim kaq shumë nivelin. Mund të mungojnë 3-4 lojtarë, por niveli i një skuadre të madhe nuk duhet të ulet për të provuar të fitojë dhe të jetë konkurrues.
Mbi çfarë linjash e keni ngritur këtë skuadër?
Kërkesat ishin për të gjetur anësorë ofensivë të aftë në duele një kunder një, për thellësia ose për të mbrojtur topin. Sepse vitin e kaluar në ato ndeshje ku i gjetëm mbrojtjet të mbyllura, na munguan ato lëvizje individuale që mund t’i zgjidhin disa situata. Dhe pastaj futja e mesfushorëve: kishim parasysh të ndërtonim në një mënyrë të caktuar dhe të sulmonim në një mënyrë tjetër, pra të kishim një konstruksion pak më fluid me 5 lojtarë dhe të kishim pozicione pak më të fiksuara me 5 lojtarë përtej topit. Kjo është pak a shumë ideja.
Ndaj Torinos u panë shumë sulmues, por jo kaq shumë lojtarë në sulm…
Bëmë një gjë shumë të ndryshme, sepse me Toron nëse nuk lëviz kaq shumë, rrezikon të gjesh pak zgjidhje, dhe djemtë e bënë shumë mirë, duke lëvizur vërtet shumë. Në atë ndeshje treguam se puna e bërë gjatë javës na lejon të ngrihemi në nivel.
Çfarë zgjidhjesh ju ofrojnë të ardhurit e rinj?
Unë besoj se mundësia e madhe për të luajtur futboll modern, në thonjëza, varet nga inteligjenca e lojtarëve në njohjen e hapësirës që duhet të zënë. Ose për hapësirën që duhet të lihet e lirë për futjen e shokëve në zonën rivale. Është e qartë se i kemi ekzaminuar lojtarët përpara se t’i jepnim dritën jeshile klubit për t’i afruar, por vetëm kur i stërvit, si teknikisht, taktikisht apo nga karakteri, sigurisht gjykimi bëhet më i thellë. Skuadra ka një rrugë, një bagazh, që ka ndërtuar, por ndërkohë kanë ardhur lojtarë të nivelit të lartë.
Si ka mundësi që një si Reijnders nuk e kishin vënë re të gjithë?
Kampionati holandez mund të mos jetë mes pesë më të mirave në Europë, por Tizhani, për shembull, është një lojtar shumë i zgjuar për të mos ditur se ku të shkojë, për të mos ditur se ku të lëvizë. Dhe kështu Pulisiç, apo Loftusi e Çukvueze. Po krijohet një grup i mirë për qëndrimet dhe disponueshmërinë, për të provuar të luajë një lloj futbolli të caktuar. Gjëja më e rëndësishme është gatishmëria dhe të shohësh të gjithë duke punuar së bashku: ky është themeli mbi të cilin duhet ndërtuar”.
Cilat janë fjalët kyçe për këtë Milan?
Gatishmëri për të punuar dhe për t’u ndjerë mirë së bashku, duke dhënë maksimumin për t’u bërë ekipi më i mirë i mundshëm. Më pëlqen shumë ky grup. Të vjetrit e kanë gjetur njëritjetrin me shumë entuziazëm dhe pasion, të rinjtë po përshtaten shumë mirë. Po krijohet një grup i mirë. Ndjesitë e mia janë pozitive.
PANORAMASPORT.AL