Me Interin duhet një çaj kamomili para ndeshjeve, fitojmë me skuadrat e mëdha, humbim me të voglat”. Me këtë batutë e ka nisur deklaratën e tij për “Sky Sport”, Xhuzepe Marota, administratori i deleguar i Interit. i vetëdijshëm për ndalesat që kanë pasur zikaltrit, drejtuesi ka shprehur besimin e tij tek Inzgai dhe ekipi, ashtu siç ka treguar eksperiencën e tij shumëvjeçare si drejtues dhe marrëdhënien me presidentin Zhang.
ZHANG – “Tek Interi për herë të parë e gjeta veten duke punuar me një pronar të huaj. Për fat mbërritën, ndryshe kushedi ku do të kishte përfunduar futbolli ynë. Pronarët kanë bërë investime të mëdha, kanë nxjerrë nga xhepi thuajse 1 miliard euro duke na garantuar mundësitë për të ngritur një skuadër konkurruese. Stiven Zhang është vetëm 30 vjeç, është shumë i qetë dhe nuk përcjell presion.
Në Itali nuk ka kulturë humbjeje. Sapo humb një ndeshje të turren ultrasit dhe mediat, jashtë nuk ekziston një gjë e tillë. Pronësia e huaj të lejon të punosh dhe e kupton shumë mirë që mund të humbësh, për italianët humbja përfaqëson një tragjedi ose pothuajse ashtu. Kur fiton problemi i madh, bëhet i vogël, kur humbet bëhet i madh. Duhet të dish të fitosh dhe të dish të menaxhosh periudhën pas fitores që është gjëja më e vështirë”.
KARRIERA – “Operacioni im i parë i madh ishte shitja e Kaziragit nga Monza te Juventusi i Bonipertit në bashkëpronësi. Kur shkova te Sampdoria në fillim isha dyshues sepse isha tek Atalanta në Serinë A, kishim përfunduar në vendin e shtatë dhe kishim një prej akademive më të mira në Itali. Në fund më bindën dhe shkova te Sampi, ku mësova se nëse ndryshon ekip duhet të shkosh tek ato që janë në vështirësi dhe jo tek ato ku po bëjnë mirë.
Ndryshe do të ishte aq e vështirë sa do të ishte të shkoje sot te Napoli pas titullit. Te Juventusi mësova konceptin organizativ fitues dhe vlerën e delegimit, duke qenë se Andrea Anjeli më kishte investuar me kompetenca të plota.
Vidal ishte një përjashtim, kishte një motor të jashtëzakonshëm nga ana fizike që e lejonte të bënte gjëra të ndryshme në mbrëmje dhe më pas në fushë të vraponte si i çmendur. Te Sampi kisha djalin e Gadafit dhe Kasanon në ekip bashkë dhe duhet të kujdesesha për menaxhimin. E imagjinoni? (qesh).
Operacioni më i vështirë? Shitja e Pogbasë te Mançester Junajtidi. Unë isha vërtet krenar për të gjithë ekipin tim, të ashtuquajturin ekip i padukshëm që është ai i drejtuesve në krahasim me atë të dukshëm, i cili është ai që del në fushë.
Ne e kishim marrë Pogbanë me zero dhe negocimi me Mino Raiolën nuk ishte i lehtë. Kaluam 3 ditë të mbyllur në hotel duke negociuar me drejtuesit e Junajtidit në Mançester për të gjetur një marrëveshje.
Higuain do të shkonte në Barcelonë dhe kështu i kërkova Andrea Anjelit autorizimin për të ecur përpara dhe për ta mbyllur, duke qenë se transferimi i Pogbasë nuk ishte përfunduar ende. Ishte Andrea që më dha dritën jeshile. Ishte një operacion i shpejtë”.
NDALESAT E INTERIT – “Tre të katërtat e skuadrës, pra 18 lojtarë, janë të zënë me kombëtaret. Kjo do të thotë se skuadra është shumë e fortë. Rrugëtimi, pas humbjes me Sasuolon, fitores në Salerno dhe barazimit me Bolonjën, është në një fazë ndërlidhëse të sezonit.
Por unë mund të jem vetëm optimist dhe i kënaqur me punën e Inzagit. Ai ka treguar me rezultatet dhe paraqitjet se është një trajner i mirë që mund të drejtojë ekipin tonë. Të gjitha këto që ndodhin janë pjesë e rrugës sonë, që na sheh të angazhuar në shumë fronte. Është rrugëtim i gjatë, duhet të kemi durim, të vlerësojmë dhe të kuptojmë gabimet tona për t’u përpjekur t’i përmirësojmë”.
LAUTARO – “Fjalët e folura nga Baxho për Lautaron janë fjalët e një ikone, një njohës shumë i mirë dhe nuk mund të kishte një emër më të mirë për t’i thënë. Ka thënë gjëra të shenjta.
Lautaro është një djalë i ri që është rritur shumë dhe gjithmonë në një mënyrë pozitive, sot po afirmohet si kampion dhe unë e konsideroj të tillë, po na jep kënaqësi të madhe. Sot është kapiten dhe shpresoj shumë që të jetë flamuri i Interit për shumë vite sepse ka të gjitha cilësitë e duhura për të qenë dikush që do të mbahet mend”.
IKARDI APO LUKAKU? – Lukaku mund të thotë çfarë të dojë sigurisht, por ne gjithmonë e kemi respektuar dhe më pas paraja bën diferencën në futboll. Midis tij dhe Ikardit? Siç kanë shkuar gjërat do të thoja Ikardin”.
Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL