LAUTARO 10 – Titull me shirit në krah dhe rekord personal golash. E çfarë duhet tjetër për të qenë të lumtur? Ai është në momentin më të mirë të karrierës: vendimtar në finalizim, por edhe në ndërtimin e manovrës sulmuese. Një kënaqësi për sytë, një problem i pazgjidhshëm për kundërshtarët.
ÇALHANOGLU 10 – Shumëkush qeshi kur turku krejt pa diplomaci tha se ai perceptonte të ishte ndër pesë regjisorët më të mirë në Europë. E vërteta është se ndoshta tha më pak nga sa është. Thjesht ndriçues, si një nga trajektoret e tij të shumta.
BARELA 9 – Kudo dhe në çdo rast, gjatë gjithë këtij sezoni ka bërë të paktën dy hapa përpara. E para për disiplinën: “shpërthime” të kufizuara për gëzimin e shokëve të skuadrës. E dyta për taktikën: është parë disa herë si regjisor…
MKHITARIAN 9 – Lojtari më inteligjent në Serinë A, që shfaq diferencën më të madhe midis qëndrueshmërisë së vërtetë (të madhe) dhe tërheqjes së përgjithshme (i moderuar). Hapja dhe mbyllja e Interit, i plotë dhe me të drejtë i pazëvendësueshëm.
TURAM 9 – Blerja e parë verorë dhe plotësues ideal i Lautaros. Falë tij Interi ka arritur të ndryshojë mënyrën e sulmit në krahasim me sezonin e kaluar. E përpiu kampionatin, duke u përmirësuar në çdo ndeshje.
ZOMER 8 – Pati një trashëgimi të rëndë mbi supet e tij, atë të Onanës. Nga zvicerani mbahen mend vetëm dy gabime të vërteta, kundër Sasuolos dhe Udinezes. Nga ana tjetër, një qëndrueshmëri e jashtëzakonshme dhe lojë e shkëlqyer me këmbë.
PAVAR 8 Lëndimi i pësuar në Bergamo dukej se e ngadalësoi përfshirjen e tij në ekip. Me kthimin e tij mori njëherë e mirë Interin, duke shtuar cilësinë që i mungonte krahut të djathtë. Personalitet me shumicë.
BASTONI 8 – Çfarë roli luan? Mbrojtësi? Sa të sigurt jemi? Tek Interi është një regjisor i shtuar, këmba e majtë me synimin për të përditësuar koleksionin e asisteve. Nëse aksioni zhvillohej me një cilësi të caktuar, merita ishte (edhe) e tij.
DARMIAN 8 – Gjithmonë i njëjti. Nis sezonin si rezervë, pastaj janë të tjerët që e shohin duke luajtur. Ia doli me sukses, duke përmirësuar fazën sulmuese në moshën 34 vjeçare duke sjellë shumë më tepër cilësi se në të kaluarën.
FRATEZI 8 – Le ta vëmë veten në vendin e tij: goditje merkatoje, pritshmëri shumë të larta, por asnjëherë i padiskutueshëm. Davidi (Fratezi) bëri Goliatin: priti dhe doli në skenë, me dy gola të artë në Verona dhe Udine.
AÇERBI 7.5 – Momentin më të vështirë e përjetoi jashtë fushe, me rastin Huan Zhesusit. Brenda terrenit, vazhdoi të koleksionojë sulmues rival dhe në prapavijën interiste është firma e tij. Drejtoi repartin më të mirë në kampionat.
BISEK 7,5 – Vuri në praktikë gjithçka të mira që u tha për të. Shpërthyes, një forcë e natyrës me një të ardhme të madhe përpara. Aq shumë, saqë në një moment Inzagi pati vështirësi ta linte jashtë formacionit titullar.
DE VRAJ 7.5 – Një vit më parë, i pakënaqur me mungesën e minutazhi, i kërkoi një takim Inzagit. Që aty nisi ngritja e tij. Holandezi u kthye në nivelet e tij të dikurshme, në një moment të caktuar edhe duke vënë në dyshim titullaritetin e Açerbit.
KARLOS AUGUSTO 7.5 Njeriu i dymbëdhjetë ideal: si një anësor me këmbë të majtë pritej, si një i tretë qendror ishte një zbulim gjatë rrugës. I besueshëm, gjithmonë në vendin e duhur dhe shpjegimi perfekt i titullarit që e nis nga stoli.
DUMFRIS 7 – Jepini një shilarës dhe ndoshta do të bëjë më pak lart e poshtë se sa ka mbledhur këtë sezon. Nëse do të ishte i disiplinuar, do të ishte një nga anësorët më të mirë në botë. Por sidoqoftë gjeti një mënyrë për të qenë vendimtar
ASLLANI 7 – Çunaku ka bërë hovin cilësor për nga personaliteti, prandaj dhe Inzagi i ka dhënë minuta të rëndësishme. Në Firence, në një nga ndeshjet kyçe të kampionatit, ai ishte titullar. Në rritje të madhe, duke mësuar nga Çalhanoglu.
KUADRADO 6 – Në turneun e një vere më parë, dha ndjesinë se mund të ishte titullar. Por konsumimi i një mijë betejave të përjetuara me Juventusin e detyruan të ndalonte. Dy asiste në bilanc, përpara se të dorëzohej duke qenë një rezervë.
AUDERO 6 – Jo keq, nënshkrimi i titullit me dy paraqitje dhe po aq porta të paprekura. Sidoqoftë, ky titull është shumë më tepër i tij se tre të fituar në të kaluarën me fanellën e Juventusit.
ARNAUTOVIÇ 6 – Dëmtime, raste të humbura dhe një minutazh që e kishte shpresuar më gjatë. Nuk ishte përforcimi i pritur, aq sa Lautaro dhe Turam mbërritën të sfilitur në vijën e finishit. Megjithatë, tifozët e Interit nuk e braktisën kurrë.
SANÇEZ 6 – Mesatarisht mes asaj që u shfaq në fazën e parë (thuajse asgjë) dhe asaj që dha nga fundi i janarit e në vazhdim, kur bëri paqe njëherë e mirë me idenë e të qenurit alternativë e titullarëve.
KLASEN 6 – Në kufij të projektit, por në fund të fundit gjetja e hapësirës në një repart kaq të kompletuar si mesfusha do të ishte një sukses për këdo. Ritme të qeta, për atë pak që tregoi.
DI XHENARO, SENSI, BJUKENAN, AKINSANMIRO, AGUME PA NOTA – Më i përdoruri prej tyre ishte Bjukenan: kanadezi, i cili mbërriti në janar për të zëvendësuar Kuadradon, u përdor vetëm në të majtë. Shifra të mira, shpejtësi bazë që është e vështirë për t’u kontrolluar dhe ideja e fortë që Inzagi do të duhet të jetë i mirë në kanalizimin e energjisë së tij në të ardhmen e afërt.
Të tjerët mund të festojnë me shokët. Edhe Agume, sot te Sevilja: një prezencë për të. Një ndeshje edhe për Akinsanmiro, mesfushorin e ekipit të të rinjve. Tri prezenca edhe për Sensit, i destinuar për lamtumirë pesë vjet pas mbërritjes së tij tek Interi. Festë speciale për Di Xhenaren: asnjë minutë për të, por si një ish-produkt i sektorit të të rinjve është si një rreth që mbyllet.
TRAJNER INZAGI 10 – Prijësi ideal në një garë me etapa. Menaxhim perfekt i dhomave të zhveshjes dhe një lojë me gjurmën e tij të dukshme. Për më tepër, një ekip emocionues si rrallëherë në historinë interiste.
INTERI 10 – Mendësi dhe fizik perfekt bënë që titulli të dominohej njëkohësisht në dy aspekte kyçe. Kurrë në vështirësi, ky grup i vetëdijshëm për cilësinë e tij e ndërtoi triumfin mbi shpirtin e përulësisë dhe duke mos u dorëzuar kurrë.
PANORAMASPORT.AL