Friday, 27. March 2026
Sport

Nga Lukaku te Kuadrado, rrëfimi i gjatë i Marotës: Jam gati të firmos pa u menduar për titullin nëse…

GS 22/08/2023 7 Min. Lesezeit

Një rrëfim 360 gradë i Xhuzepe Marotës ka ardhur dje për “Radio Serie A” ku ka analizuar çdo çështje aktuale të zikaltërve. Administratori i deleguar i Interit ka prekur të gjithë emrat që po lakohen rreth klubit në merkato dhe ka konfirmuar edhe një herë objektivin titull dhe trajnerin Inzagi.

MAROTA INTER 1

Pavar është çështja kryesore…
Unë nuk mendoj se komunikimi për Pavarin do të mbërrijë sot (dje) (qesh). Jemi në një pikë të mirë, ka optimizëm. Interi duhet të ketë gjithmonë objektivat e duhura dhe synojmë lojtarë të fortë, autoritar dhe me përvojë. Pavar i plotëson këto kushte.

Çfarë ju mësoi sezoni i kaluar?
Duhet të ketë një ekuilibër në skuadër mes të rinjve dhe atyre me përvojë. Nuk mund të fitohet vetëm me të rinj dhe duhet të ketë ekuilibër.

Jeni të kënaqur me merkaton tuaj?
Kjo është merkatoja e 47- të për mua. Tani për tani, futbolli italian është shumë i ndryshëm nga ai që ishte në vitet 1990-2000, kur ne mund të bënim goditje të mëdha. Tani duhet të ndjekim mundësitë, por askush nuk mund të shpenzojë 200 milionë euro.

Interi është më pak apo më shumë i fortë?
Është një Inter konkurrues, vlerësimi im subjektiv është pozitiv. Pastaj ne duhet të vlerësojmë veten sipas nivelit të kundërshtarëve dhe mendoj se jemi konkurrues dhe të barabartë për titullin.

Keni ngelur keq nga mënyra si përfundoi për Lukakun dhe Samarxhiçin?
Në moshën time nuk vuaj më nga merkatoja, ndoshta vetëm nga vapa (qesh). Mendoj se në këtë kohë respekti për rolet e gjithsecilit është i pakët dhe lojtarët shpeshherë këshillohen keq. Transferimet janë shumë të shpeshta, sepse çdo lëvizje gjeneron para për lojtarët dhe agjentët, të cilët janë shpesh ata që drejtojnë veprimet e klientëve të tyre. Për mirë apo për keq.

Sa ndikoi te ju mosardhja e Lukakut?
Ne jetojmë në një botë ku ajo që është po sot bëhet jo nesër dhe anasjelltas. Duhet të mësohemi me situatat që të shohin larg një lojtari, të cilin e kishe në dorë. Situata e Lukakut na ka zhgënjyer shumë, ai bëri zgjedhjen e tij dhe ne ndoqëm rrugën tonë. Sigurisht që ndërkohë humbëm disa lojtarë. Ku do të shkojë? Shumë dyer po i mbyllen, nuk mendoj se do të kthehet në Itali.

A ka ndonjë goditje që ua keni zili klubeve të mëdha?
Sinqerisht jo. Shumë klube kanë ecur mirë dhe kryejnë operacione interesante.

A mund të largohet Korrea nga Interi? Flitet për Sançez…
Kur jeton me një merkato që është aktive ndërkohë që luan, ata që nuk luajnë kërkojnë të transferohen. Korrea kërkon hapësirë dhe ne nuk jemi indiferentë ndaj kësaj, por mbi të gjitha nuk i mbajmë lojtarët me forcë. Nëse dëshiron të largohet, do të përpiqemi ta kënaqim. Pastaj më bëhet qejfi që Sançez ka dhënë sinjale pozitive për rikthimin. Është një kampion, u largua me një shije disi të hidhur, por tani sinjalet janë pozitive dhe do të rikthehet.

Onana u largua dhe Zomeri mbërriti. Si ndryshon Interi?
Kur një lojtar kërkohet nga një klub më i pasur, është e vështirë ta mbash atë. Nuk është e mundur të heqësh dorë nga shuma të caktuara nga klubet italiane. Onana kishte ardhur me parametër zero falë intuitës së Piero Auzilios dhe u largua për më shumë se 50 milionë dhe me një rrogë të dyfishuar.

Merkatoja arabe do të jetë e hapur deri më 20 shtator. Keni frikë të humbni dikë?
Ne nuk ishim të përgatitur dhe do të duhet të paktën një vit për të kuptuar efektet e tij. Nga pikëpamja sportive, cilësia ka rënë. Ata morën 22 lojtarë të rëndësishëm, shumë të mëdhenj, emra që shkuan në anën tjetër të botës duke sjellë 700 milionë në arkat europiane. Nuk e mohoj që oferta të rëndësishme mbërrijnë te ne dhe te të tjerët, por është e pamundur të largohen titullarët. Jam dakord me Karnevalin (drejtuesi i Sasuolos), emrat e mëdhenj nuk do të shiten në fund të gushtit.

Lautaro është bateria e Interit…
Tani ai është finalizuesi dhe pika jonë terminale e lojës, është më i përgjegjshëm edhe e pamë që e nisi me dy gola kampionatin. Erdhi Arnautoviçi, pasi detyra e një drejtuesi është të ketë emra të mëdhenj në dispozicion. Ka pasur objektiva të tjerë para tij, por duke u ngushtuar lista mbërritëm tek ai, edhe pse na vjen keq që e vendosëm në vështirësi Bolonjën.

A mund të qëndrojë Sensi?
Ai na mësoi me një fazë përgatitore të mirë dhe tani duhet të konfirmojë veten. Nëse do të dëmtohet, mund të jetë i rëndësishëm.

INZAGI MAROTA

E shihni Inzagin të rritur? Flitet për rinovimin…
Përvoja dhe rritja vijnë nga përjetimi i emocioneve të caktuara, si finalja e Champions League-s edhe kur humbet. Humbja çliron zemërimin pozitiv për të qenë më konkurrues dhe më i mirë. Ajo arritje i shërbeu shumë grupit tonë dhe vetë Inzagit. Katër-pesë vjet më parë kishim lojtarë në skuadër që nuk kishin fituar apo luajtur kurrë në Champions, tani marrim pjesë rregullisht. Rinovimi vjen automatik kur ka ide dhe strategji të përbashkëta.

Blerja e Kuadrados ka habitur tifozët.
Ai është një lojtar i vlefshëm që përshtatet me atë që thashë më parë për përzierjen e lojtarëve. Lojtarët me përvojë bëjnë diferencën dhe u japin emocione pozitive shokëve, si në fushë, ashtu edhe në dhomat e zhveshjes, duke i shtyrë ata të japin më shumë. Huan ka një kulturë punë fituese që na duhet shumë dhe që është rritur edhe tek Interi gjatë kësaj kohe. Edhe Pirlo te Juve kishte fituar me Milanin. Tifozët i falënderoj dhe i kuptojmë të gjitha pretendimet e tyre. Ne po punojmë për një Inter fitues.

Cilat do të jenë objektivat e sezonit?
Para së gjithash do të na duhet të menaxhojmë stresin e ndeshjeve çdo tri ditë, gjë që do të na japë më shumë sforcim se Juventusi pa Kupa, por në të njëjtën kohë nder dhe prestigj. Finalja nuk ishte rastësi, ne duam të konfirmohemi. Në një sezon duhet të shijohen edhe shumë detaje, si kopshtari, kuzhinieri, dietologu, fizioterapisti etj. Të jesh në gjendje të stërvitesh në fusha perfekte, të kesh një nutricionist të zgjuar (i yni u huazua edhe në kombëtare) të sjell gjithashtu pikë shtesë. Sot futbolli është i shpejtë, agresiv, duhet të jesh i përgatitur dhe për të qenë në formë duhet të kesh edhe ushqim të mirë.

Titulli apo një tjetër finale të Champions-it?
Nëse do të mund të firmosja që të fitonim titullin një vit dhe një vit tjetër finalen, do ta bëja pa e menduar (qesh).

Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

Teilen: