Skuadra e Dritës konsiderohet me fat që ka një tifozeri të madhe si “Intelektualët”, por ekipi nga Gjilani është tejet i pafat në short të kualifikimeve për garat evropiane dhe kjo e ndjek vit pas viti.
Ekipe si Malmo, Legia Varshava, Feyenoord, Antwerp ishin kundërshtarët e Dritës në garat evropiane viteve të fundit, por kjo nuk është e gjitha, shkruan lajmi.net.
Tre herë kampionët e Kosovës të enjten, kanë punë me Viktoria Plzenin, ekipin çek që ka përvojë tejet të madhe në garat evropiane, në ndeshjen e parë të raundit të dytë të kualifikimeve për Ligën e Konferencës që luhet në Çeki e një javë më pas në Prishtinë.
Viktoria Plzen, për ata që ndoshta kanë harruar, edicionin e fundit të Ligës së Kampionëve kanë qenë në fazën e grupeve me Bayern Munich, Barcelonën e Interin. Edhe nëse shohim vlerën e dy skuadrave, dallimi është shumë i madh mes tyre.
Viktoria Plzen vlen afër 31 milionë euro, ndërkohë ekipi gjilanas kap vlerën e afër 4 milionë eurove. Ekipi ‘bardhekaltër’ nga Gjilani merr pjesë në garat evropiane nga viti 2018. Pikërisht në atë vit, Drita është ndeshur me Malmon në raundin e parë të Ligës së Kampionëve.
Atë kohë, Drita pësoi 0:3 në Mitrovicë, kurse 2:0 humbi në Suedi. Edhe Malmo ka qenë më parë pjesë e grupeve të garave evropiane si dhe disa herë kampion i Suedisë.
Dy vite më vonë, Drita bëri gara në Ligën e Evropës. Edhe aty në raundin e tretë u përball me Legia Varshavën, kampionin e shumëfishtë polak nga e cila u eliminua. Feyenoordi ishte rivali i ardhshëm që zbarkoi një vit më vonë në Prishtinë për t’u ndeshur me Dritën.
Por, gjiganti holandez hasi në vështirësi të madhe dhe për ta eliminuar ekipin që atëherë udhëhiqej nga Ardian Nuhiu nga Liga e Konferencës u desh të djersitët fortë.
Drita barazoi 0:0 në Prishtinë, derisa udhëhoqi 1:2 deri në minutën e 66-të në Holandë, për t’u përmbysur më pas nga Feyenoord. Historinë e njëjtë me Dritën e pati edhe Antwerpi, që sot është kampion i Belgjikës.
Edicionin e kaluar ishin ata që eliminuan Dritën nga po i njëjti kompeticion. Drita e ndali me barazim 0:0 Antwerpin në Holandë, por u mposht 0:2 në Prishtinë në stadiumin e stërmbushur.
Skuadra gjilanase vërtetë ndër vite ka pas futbollistë kualitativ dhe ka treguar gjithnjë lojë të mirë. Por kur ke punë me këso rivalësh, në plan të parë duket normale eliminimi nga ta.
Për dallim nga Drita, Ballkanit i buzëqeshi fati edicionin e kaluar e që në fakt ishte i mirëseardhur për shkak se ia pa hajrin duke u kualifikuar në grupet e Ligës së Konferencës për herë të parë në histori. Sidoqoftë, Drita nuk është se nuk kishte vetëm gjëra negative nga përballja me gjigantët.
Përveç promovimit si klub, ata vitin e kaluar ia shitën plot 400 mijë euro Arbnor Mujën pikërisht kundërshtarit, Antwerp edhe atë menjëherë pas ndeshjes. Për fund, ndeshja e kthimit ndërmjet Dritës dhe Viktoria Plzenit luhet më 3 gusht në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë./Lajmi.net/