Stefano Domenikali, CEO i Dukatit ishte i pranishëm pranë ekipit të tij në Herez për Çmimin e Madh të MotoGP-së së Spanjës. Para syve të Domenikalit, Aleks Markez i skuadrës Dukati Gresini shkëlqeu në Herez duke fituar garën.
Peko Banjaja pati një ditë normale, duke u klasifikuar i treti me motorin zyrtar Dukati, ndërsa piloti tjetër i ekipit zyrtar, Mark Markez, zhgënjeu, duke u klasifikuar vetëm i 12-ti. Domenikali ishte i lumtur me rezultatet, teksa marka e tij barazoi 22 fitoret e Hondës në klasin mbretëror. “Ky finish është një moment i bukur. Është rezultat i një kohe të gjatë pune me një motor të mirë dhe pilotë të fortë”, u shpreh Domenikali, teksa më tej vijoi: “Kuartararo gjithashtu ishte i fortë dhe kjo do të thotë që edhe të tjerët po punojnë mirë”, deklaroi 59-vjeçari italian, duke vlerësuar edhe rivalët e Yamahas.
MENDIMI PËR MARK MARKEZIN – Drejtuesi i motorit italian vlerësoi performancën e Mark Markezit, ndonëse spanjolli pati një të diel të vështirë në Herez. “Mark është i jashtëzakonshëm, ai po drejton shumë mirë. Herë pas here, ai bën ndonjë gabim të vogël, për shkak të vetëbesimit të tepërt. Por, ai po tregon se e ka motorin nën kontroll”, tha Domenikali.
PROBLEMET E PEKOS – Domenikali foli për vështirësitë me të cilat u përball Banjaja, i cili përfundoi i treti në Spanjë. “Peko kishte fituar në Herez tri vitet e fundit, kështu që vendi i tretë nuk i mjafton. Fatkeqësisht, nuk ndihet me motorin siç do të donte ai për të bërë lëvizjet e parakalimit, me të cilat na mësoi vitin e kaluar. Por, po punojmë për ta zgjidhur këtë situatë”, përfundoi CEO i Dukatit.
PANORAMASPORT.AL