Sezoni mes ulje-ng ritjesh te Bajerni i dha goditje të fortë reputacionit që ata kishin krijuar në Bundesligë përgjatë dekadës së fundit, humbjen e titullit kampion.
Liga e Kampionëve u pa shpresa e vetme për të vendosur “nderin në vend”, por edhe në këtë kompeticion dështuan të shkojnë në finale, të cilët u eliminuan nga Real Madridi, ndonëse ende “ziejnë” diskutimet sesi rrodhën ndeshjet e kthimit në Spanjë. Mediumi gjerman “Bild” ka “skanuar” emrat që shefat në Mynih kanë vendosur objektiva për merkaton e verës, aty ku bie në sy edhe largimi i “senatorëve” në ekip si Gnabri apo Koman.
MBROJTJA – Reparti më i brishti i Tomas Tuhel. Gjigandët nga Mynihu e kanë nxjerrë topin nga porta në 41 raste të Bundesligës në periudhën 2023-2024, gati dyfish në krahasim me Leverkusen. Ata mburrën me sulmin më produktiv në Europë, por hendeku i madh në prapavijë i ka dëmtuar në masë. Prandaj fokusi është te Ronald Arauho. Edhe pse erdhi me pretendime të mëdha si Kim ashtu edhe Upamekano, ata nuk bëjnë më pjesë në planet e skuadrës. Ekziston opsioni që Gnabri dhe Koman të “tregtohen” në Barcelonë në këmbim të Arauho. Klubi më i titullar në tokën gjermane është shprehur i gatshëm se do të lëviz çdo “gurë” për të arritur te mbrojtësi uruguaian, i cili pëlqehet së shumti te Bajerni. Mazarui dhe Dejvis mbyllin listën e “të padëshiruarëve”. I pari nuk është ngjitur kurrë në lartësinë e duhur, ndërsa Dejvis e ka mendjen te Reali. Zherëmi Frimpong dhe Teo Hernandez do t’i japin fund problemeve në linjat e defensive dhe do të rivalizonin çdo skuadër. Për holandezin ekziston klauzola e lirimit në verë prej 40 mln euro, ndërsa Teo nuk dëshiron të qëndrojë më në Milano, arsyeja lidhet me mungesën e trofeve.
MESFUSHA – Ndryshe nga fillimi i ngadalshëm, Leon e ka ndryshuar “marshin”. Gjithsesi vështirë se bordi do të kthejë opinionin nga ideje fillestare, e cila ka të bëjë me shitjen në verë. Fakti që shpesh herë Kejn, Musiala dhe Sane kthehen shumë mbrapa për të marrë topin, vë në dukje se mesfusha e Bajernit nuk funksionon, e ku Gorecka është përgjegjësi. PSG është e hapur të dëgjojë palët e interesuara për Ksavi Simons, ndërsa Bajerni është i gatshëm të depozitojë deri në 60 mln euro për talentin holandez. Florian Virc është një tjetër dëshirë e rekordmenëve të Gjermanisë. Ata shpresojnë se me milionat e mbledhura nga shitja e yjeve në ekip do të mjaftojnë për Virc, si lojtari “më i kripur” në listë. Drejtori sportiv i Leverkusen e ka pranuar se nga kontigjenti aktual mund të largohen dy futbollistë me peshë.
SULMI – Kingsli në periudhën më të rëndësishme nuk mundi të jepet kontributi në ekip, pas lëndimit fizik. Statistikat e anësorit francez kanë rënë ndejshëm në sezonin 2023-2024, 5 gola në 27 ndeshje, shifra jashtë pritshmërive. Pjesën më të madhe ai e ka kaluar në infermieri. Lëndimet e shpeshta e kanë mbajtur gjatë larg fushave të blerta, duke mos e lejuar të kap formën. Bordi është lodhur me francezin dhe kërkon të freskojë grupin me emra më të qëndrueshëm rreth kushteve fizike. Kësisoj ata po përgatiten ta nxjerrin në treg Komanin. Mançester Junajtid e ka “shenjëstruar” më herët futbollin 27-vjeçar, por Bajerni është treguar kategorik në përgjigje, refuzim, ndërsa tashmë kanë ndryshuar skenarët. Edhe Serzh Gnabri po ashtu po noton në “ujëra të turbullta”. Dëmtimet e rëndomta e kanë penalizuar.
Ciklin e shkuar u diktua qartë gjallëria e anësorit me tempin e vrullshëm dhe saktësinë para porte, reflekse të cilat kanë humbur në edicionin që po mbyllet. Është lakuar edhe më herët se Gnabri takimin me Realin në Madrid, me shumë gjasa do jetë i fundit nën stemën e bavarezëve. Reali, Mançester Junajtid dhe Totenhemi interesohen për shërbimet e sulmuesit. Serhu Zhuirasi i Shtutgartit është i hapur për të kaluar në “Allianz Arena”. Ekziston klauzola e lirimit në verë, e cila përkon me shifrën e 18 mln eurove. Sulmuesi nga Guinea regjistron 26 gola në Bundesligë, vetëm Kejn ka më shumë finalizime, komponentë i qartë se është shënues “race”. Zhuirasi mund të spostohet lehtësisht nga sulmues qendror në krahë, duke ndërvepruar nga linjat ose do të luajë rolin e zëvendësuesit të Kejnit. Në bazë të kësaj panorame, merkatoja verore pritet të jetë “përvëluese” në Mynih.
SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL