Arrigo Saki rikthehet të flasë. Për “La Gazzetta dello Sport” dhe mbi tema rigorozisht të lidhura me Milanin, ish-trajneri nuk kursen askënd, por duke ruajtur një lloj optimizmi karakteristik të personazhit.

Maldini, Ibra dhe Tonali. A duhet të kenë më besim tifozët?
Mendoj se gjithçka është pjesë e një projekti. Të paktën kështu uroj. Nëse largime të tilla janë në planet e klubit, atëherë duhen lënë të punojnë për t’i gjykuar më vonë.
Kaq e nevojshme ishte të shkarkoheshin Maldini dhe Masara?
Ata kanë qenë protagonistë të viteve të fundit dhe vendimi për t’i shkarkuar është rrezik i madh. Nëse dy vjet më parë dikush do të më kishte ofruar kampionatin dhe gjysmëfinalet e Champions-it nuk do t’i kisha besuar, sepse investimet asokohe ishin mediokre. Nëse Milani arriti këto dy objektiva, meritë është e Maldinit dhe Masarës. Le të shohim çfarë do të bëjë “RedBird”-i, që i ka aq merak bilancet.
Po Tonali përse duhej sakrifikuar?
Sepse përballë të tilla shifrave është e pamundur të refuzosh. Tifozët nuk duhet të dëshpërohen, sepse mbase afrohen talente e ndonjë kampion i Milanit mund të imitojë Napolin, që u shpall kampion pasi shiti Ruiz, Insinje, Mertens e Kulibali.
Loftus-Çik po vjen. Juve si ju duket?
Lojtar fizik që vrapon pafund. Në futbollin e sotëm të tilla profile janë thelbësore. Për më tepër ka edhe përvojë çka mund të ndihmojë të gjithë grupin e Milanit.
Thuhet që Milani ndjek edhe Skamakën. Çfarë mendoni për sulmuesin?
E njoh mirë shumë. Lojtar cilësor dhe djalë fantastik. Ka një potencial të madh, të cilin nuk ka mundur ta tregojë. Duhet të përmirësohet në presing dhe lojë skuadre, megjithatë duke qenë se sezoni i fundit nuk ka qenë fort pozitiv, për Milanin do të ishte bast.
A do të zgjohet De Ketelare?
Ah sikur ta dija. Disa cilësi i janë vënë re, por Seria A nuk është e lehtë. Mjafton të kujtojmë se sa shumë kanë vuajtur Platini apo edhe Rumenige. Kushti në këtë rast është që djaloshi të ketë besimin e klubit.
Ju duket e drejtë që Milani mendon të mos bëjë goditje faraonike?
Strategji korrekte. Kush fiton me borxhe po bën hile. Ka ardhur dita që idetë të kenë më vlerë se paratë, sepse edhe nëse dikush të merr lojtarin më të mirë, përsëri projekti i duhur të garanton vazhdimësi.
Bën mirë klubi që i shton kompetencat trajnerit?
Pioli është i përgatitur, por duhet të gjejë gjithmonë termat e duhur në komunikim me lojtarët që ka dhe ata që dëshiron. Kur je trajner dhe menaxher, duhet të jesh i besueshëm. I tillë mund të jesh vetëm nëse beson te projekti i klubit, i cili nevojitet të jetë vërtet ambicioz.
Përse tifozët presin gjithmonë yjet?
Sepse shtojnë shanset për sukses, por në një ekip pa cilësi loje edhe një kampion do të haste vështirësi. Tifozët duhet të besojnë te skuadra, e cila vetëm një vit më parë shpallej kampione pa pasur në organikë asnjë kampion elitar. Loja dhe shpirti i skuadrës janë mbi gjithçka dhe Pioli aq i zoti sa është me siguri i di këto sekrete.
PANORAMASPORT.AL