Reali i Madridit shpenzoi 103 milionë euro (mund të arrijë deri në 130 milionë) në merkaton e verës për yllin e Dortmundit, Xhud Bellingam. Dhe pritshmëritë ishin të mëdha, për më tepër që rrallë gjen një klub të hedhë shuma të tilla marramendëse për një lojtar 20-vjeçar.
Reali e bëri me besim të plotë dhe duket se ka nisur t’i marrë shumë shpejt frytet prej anglezit. Ai ka qenë sensacioni i sezonit në La Liga, duke lënë gojëhapur të gjithë. Ai është përshtatur në mënyrë të rrufeshme në klubin e tij të ri, aq sa duket sikur ka vite që është pjesë e “los blancos”. Për momentin është golashënuesi më i mirë në La Liga me 8 gola dhe ka fituar zemrat e të gjithë tifozëve të Realit. Edhe ai vetë ndihet i lumtur në Madrid ku ka bërë menjëherë mjaft miq e shokë. Lojtari i Madridit iu nënshtrua një sërë pyetjesh të rastësishme, të njohura në Britaninë e Madhe si “If you can…” (Nëse mundesh…).
Nëse do të mund të luanit përkrah një lojtari në historinë e futbollit botëror, ai do të ishte…
Zinedin Zidan! Unë do t’i jepja atij topin gjatë gjithë kohës dhe do ta lija të bënte çfarë të donte. Ishte pak para kohës sime, por të luaja në mesfushë si fëmijë ishte gjithçka për të cilën flitej. Njerëzit thoshin ‘duhet të mbash një sy te Zidan, duhet të kesh një sy te Zidan…’ dhe që atëherë unë kam parë mijëra imazhe të tij dhe çdo herë më bëjnë edhe më shumë përshtypje”.
Nëse do të mund të përmirësonit një pjesë të lojës sot, ajo do të ishte…
Do të doja t’i kisha të dyja këmbët natyrshëm. Më pëlqen shumë të shoh lojtarë si Osman Dembele dhe lojtarë të tjerë që mund të luajnë nga të dy krahët pa asnjë problem. Nëse mund të merrnit një cilësi të një shoku të skuadrës angleze, ajo do të ishte… Shpejtësia e Kajl Uolker. Unë mendoj se loja do të ishte shumë më e lehtë dhe më argëtuese nëse do të ishe kaq i shpejtë.
Nëse mund të ktheheshit në një ngjarje në histori, ajo do të ishte…
Një ngjarje e madhe sportive si kur Anglia fitoi Kupën e Botës. Nëse do të mund të jetoja sërish një ditë, do të thosha finalen e Kupës së Ligës mes Birmingamit dhe Arsenalit. Isha shumë i ri, por ende mbaj mend që ishte një ditë e mrekullueshme. Thjesht mendoj se do ta vlerësoja më shumë tani. Shkova në ‘Uembli’ për ta parë, por isha aq i ri sa nuk mund t’ju them tani se çfarë ndodhi në ndeshje. Kur e shoh, më kujtohen fragmente të vogla, por do të doja ta ripërjetoja atë moment.
Nëse do të mund të ndryshonit një gjë në botë, ajo do të ishte…
Në mënyrë që të gjithë të jenë më paqësorë dhe më të sjellshëm me njëri-tjetrin.
Nëse mund t’i jepni vetes një këshillë të vogël, ajo do të ishte…
Të jesh vetvetja. Jo vetëm në futboll, por në gjithçka që bëni. Vetëm ji vetvetja.
Nëse do të mund të flisnit me atë fëmijë që po mendon t’i bashkohet ekipit të tyre, por nuk është i sigurt, do t’i thoshit…
Bëni gjithçka që ju bën të lumtur. Luaj në pozicionet që të bëjnë të lumtur, luaj në skuadrat që të bëjnë të lumtur dhe nëse nuk e gjen lumturinë, mos e detyro veten. Në jetë, bëni atë që ju bën të lumtur.
Nëse do të mund të hani vetëm një ushqim për pjesën tjetër të jetës suaj, ai do të ishte…
Pulë, sepse mund të bësh shumë gjëra me të. Nëse do të mund të zgjidhnit se kush do të luante personazhin tuaj në filmin e historisë së jetës suaj, ai do të ishte… Denzel Uashington, nëse do të ishte pak më i ri, 100 për qind.
Nëse do të kishit punën tuaj të dytë të ëndrrave, do të ishte…
Diçka që ka të bëjë me futbollin. Unë ndoshta do të isha një gazetar sportiv apo diçka tjetër.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL