Një vonesë në stërvitje e Mois Kenit papritur ka rindezur merkaton e Juventusit. Fakti që trajneri Masimiliano Alegri e ka vlerësuar dhe mbështetur gjithmonë sulmuesin e ri, ai nuk e ka toleruar këtë gabim të të përkëdhelurit të tij, aq më shumë në një situatë ku “zonja e vjetër” ka dënuar një figurë si ishkapiteni Leonardo Bonuçi, të cilit i kërkohet me çdo kusht që të largohet nga Torino.
Dhe ashtu si Bonuçi, edhe Ken është nxjerrë në merkato, ku klubet angleze janë vënë në garë, me Fulhamin të fundit që është gati të ngjitet deri në 30 milionë euro dhe të çlirojë edhe merkaton në sulm të Juventusit, në këto ditë të fundit merkatoje. Dhe duke parë këmbënguljen dhe ofertat e panumërta për sulmuesin italian, nëse Ken pranon Fulhamin, drejtori sportiv, Kristiano Xhuntoli, ka tri karta në dorë, deri më 1 shtator (dita e fundit e merkatos europiane).
Më saktë, i pari është një garanci, duke qenë se dje nga Spanja konfirmohet se Xhuntoli ka bllokuar Alvaro Moratën, pas një pakti shumë të shpejtë me Atletikon e Madridit. Por ndërkohë, me 30 milionë euro do të çlirohej edhe pista Domeni ko Berardi me Sasuolon. Fundja, kjo është shifra për të cilën emilianët do t’ia paketonin Juventusit kapitenin e tyre, duke qenë se deri tani oferta torineze nuk i kishte kaluar 20 milionët, plus kartonin e një mes MeKenit dhe Ilingut. Por edhe më bombastike është mundësia e fundit… Kieza dhe Vlahoviç janë konfirmuar nga drejtuesit edhe për të paktën këtë sezon, sidomos serbi i cili duhej të ishte pjesë e tratativës.
Por ndoshta, Juventusi mund të vendosë që ta mbyllë me bombën, Romelu Lukaku, i cili mund të zbarkonte në Torino pa qenë nevoja e largimit të Vlahoviçit. Sigurisht, transferimi do të ishte fillimisht në formën e një huazimi me të drejtë blerje, por edhe kjo gjithmonë nëse Mois Ken shitet në këto ditë të fundit të merkatos dhe sjell 30 milionët që pretendon Juventusi.
Dhe çfarë do të mund të bënin Kieza, Vlahoviç e Lukaku së bashku, apo qoftë edhe njëri mes Moratës e Berardit? Shkurt, Alegri do të kishte në dorë një luks të tepruar, por mbi të gjitha do të kishte një repart sulmues që do të frikësonte çdo rival të Serisë A.
Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL