Asnjë përplasje ballë për ballë, por vetëm deklarata dashurie në drejtim të njëri-tjetrit. Të paktën publikisht kjo ka qenë panorama e marrëdhënies mes Romelu Lukakut dhe Interit. Më poshtë renditen hap pas hapi nga finalja e 10 qershorit deri te deklarata e kapitenit Lautaro Martinez kundër tij, të gjitha episodet e telenovelës “Lukaku”.
10 QERSHOR, PANKINA E STAMBOLLIT – Në finalen e Ligës së Kampioneve Lukaku e nisi nga stoli. Belgu hyri në lojë në pjesën e dytë, por pa dashje ndaloi një gjuajtje drejt portës së Dimarkos, që mund të kishte ndryshuar historinë e ndeshjes.
13 QERSHOR, ZHGËNJIMI NË MEDIAT SOCIALE – Romelu flet për zhgënjimin pas Stambollit, duke treguar se dëshiron të qëndrojë. “Ne dhamë gjithçka, por do të kthehemi të luftojmë me shpresën që të arrijmë historinë”, tha ndër të tjera.
14 QERSHOR, AUZILIO FLUTURON PËR NË LONDËR – Auzilio fluturon për në Londër për të negociuar me Çelsin. Belgu tashmë i ka thënë jo një transferimi në Arabi dhe Interi e kupton që operacioni i huazimit nuk mund të përsëritet më. Ai duhet të blihet.
21 QERSHOR, E NDJEK MILANI Pasi e ka shitur Tonalin, Milani provon një ofensivë të dyfishtë për të blerë Lukakun dhe Fratezin, dy objektivat e Interit. Ka kontakte me Ledure, por kishte pasur edhe më parë. E njëjta gjë me Juventusin.
24 QERSHOR, ROMELU MUNGON NË DASMËN E DIMARKOS – Miqësia mes dyshes është e njohur, por sulmuesi mungon në dasmë, një mungesë që atëherë kaloi pa u vënë re.
30 QERSHOR, MAROTA FLET PËR LUKAKUN – Marota shpreh hapur dëshirën për të blerë belgun. “Çelsi duhet të vlerësojë nëse Romelu është funksional për projektin e tyre: nëse nuk është, strategjitë e tyre do të ndryshojnë”.
5 KORRIK, AUZILIO PRANON NEGOCIATAT ME ÇELSIN – Auzilio del hapur gjatë një eventi në Milano: “Nuk kanë ndalur asnjëherë dialogët për Lukakun. E dimë që nuk do ta huazojnë, vlerësojmë nëse mund ta blejmë. Ai e di se ne duam ta kthejmë”.
7 KORRIK, POÇETINO “MASHTRON” INTERIN – “Po e pres në zyrën time për ta përshëndetur, nëse është akoma lojtar i Çelsit…” u shpreh trajneri i ri i bluve, Poçetino.
9 KORRIK, INZAGI KËRKON KTHIMIN E LUKAKUT – Inzagi në konferencën e parë për shtyp të sezonit flet për Lukakun: “Kam luftuar shumë për ta rikthyer këtu vitin e kaluar dhe do të doja ta bëja përsëri këtë vit. Do të shohim nëse është e mundur”.
14 KORRIK, KRISJA INTER-LUKAKU – Është dita e shakasë së madhe. Interi arrin marrëveshjen për të blerë Lukakun, me Çelsin që do të përfitonte 35 milionë plus 5 milionë bonuse, por as lojtari dhe as agjenti i tij, avokati Ledur, nuk mund të kontaktohen me telefon. Shokët gjithashtu përpiqen ta telefonojnë, por ai nuk është i disponueshëm. Bëhet e qartë se Juventusi qëndron pas refuzimit të “Big Rom”-it. Zhang dhe drejtuesit e tjerë thonë stop: Interi i la të kuptojë Çelsit se nuk është më i interesuar për sulmuesin. Gjatë natës Lukaku telefonon drejtorin sportiv Auzilio, që pas 30 sekondash e mbyll telefonin.
18 KORRIK, REAGOJNË ULTRASIT – “Curva Nord” mban qëndrim kundër Lukakut me një deklaratë të ashpër: “Kush të tradhtoi një herë do ta bëjë përsëri, jo sepse i pëlqen, por sepse është pjesë e natyrës së tij. Ke puthur atë stemë dhe tani si një mercenar i poshtër i lirë ia shet veten ofertuesit më të lartë. Përpara se të jesh kampion duhet të jesh burrë. Dhe nuk je”.
20 KORRIK, LUKAKU PËRPIQET TË RIKTHEJË KOMUNIKIMIN – Lukaku dhe agjentët e tij i dërgojnë mesazhe Interit. Ekziston një dëshirë për të ndrequr përçarjen edhe për shkak se Juventus po frenohet në shkëmbimin me Çelsin ku përfshihet Vlahoviç. Zikaltrit dhe kryesisht senatorët e skuadrës refuzojnë hipotezën.
26 KORRIK, LAUTARO I ASHPËR NDAJ LUKAKUT – “U zhgënjeva, është e vërtetë. Edhe unë u përpoqa ta telefonoja në ato ditë kaosi, por ai nuk m’u përgjigj kurrë. Kështu bëri edhe me shokët e tjerë të skuadrës. I uroj atij më të mirën. Nuk e prisja një sjellje të tillë”, tha Lautaro në një intervistë. Reagimi do të vinte edhe nga Inzagi më vonë: “Historia meritonte një fund ndryshe, sepse të gjithë e dini se çfarë bëmë për ta rikthyer te ne”.
PANORAMASPORT.AL