Kristian Pulisiç ka dhënë në “Youtube” një intervistë për podkastin “Men in Blazers”. Tema interesante ato të prekura nga amerikani, i cili debutoi të hënë në një ndeshje zyrtare me Milanin, duke shënuar edhe golin e parë me fanellën e re.
Si po shkon ambientimi me Italinë dhe gjuhën?
Shumë mirë. Në Itali zgjohesh gjithmonë me diell, ndryshe nga Londra. Po bëj maksimumin për të mësuar sa më shpejt italishten dhe kam nisur të marr mësime private.
Kur e kuptuat që kishte ardhur momenti për t’u larguar nga Çelsi?
Nuk është se pati një moment të saktë, por ishte i gjithë sezoni i kaluar që më bëri të reflektoja. Kishte mbetur vetëm një vit kontratë e zakonisht ky është momenti i duhur për të ndryshuar ekip. Nuk e pata aspak të vështirë të pranoja Milanin e as m’u desh të mendohesha. Jam tejet i lumtur për vendimin që kam marrë.
Si u zhvilluan bisedimet për transferimin?
Isha unë që fola me drejtuesit e Milanit dhe me trajnerin Pioli. Kisha nevojë të ndihesha i dëshiruar, sepse kjo është ndjesia më e rëndësishme kur vendos të ndryshosh skuadër. Trajneri dhe drejtuesit më transmetuan menjëherë ndjesi pozitive.
Kishit folur për transferimin me ish-shokët tuaj të Çelsit?
Fola me Tomorin, por edhe lojtarë të tjerë dhe që të gjithë ma lavdëruan Milanin. Për mua ishte një mundësi e mirë dhe u besova fjalëve të miqve. Sigurisht që këshillat e marra ma bënë edhe më të lehtë vendimin për t’u larguar nga Anglia.
Cilat janë dallimet mes futbollit anglez dhe atij italian?
Me siguri që ndryshime taktike ka, por edhe fizike. Më mirë për këtë aspekt do të mund të flas pas disa muajsh. Për momentin mendoj se më është dhënë mundësi e madhe e mezi pres të luaj në “San Siro” pas debutimit me Bolonjën. Uroj të shënoj ende e të jap asiste të shumta gjatë sezonit. E ndiej që Milani do të jetë një përvojë fantasike për mua.
Po tifozët si ju kanë pritur?
Ju betohem është ndjesia më e bukur nga të gjitha. Ngrohtësia e tifozërisë është e pabesueshme. Për të mos folur për Milanon, një qytet i jashtëzakonshëm. Kur e di që tifozët të duan, trajneri dhe klubi të besojnë, kur ndien besim e ke më të thjeshtë të japësh maksimumin në fushë. Nuk kam asnjë dyshim lidhur me këtë fakt.
Edhe Milani ka përfituar nga imazhi juaj në Amerikë me fanella të shitura dhe rritje popullariteti në ndjekësit e rrjeteve sociale…
Nuk kam informacione të sakta, por kur marr vesh se fanella ime preferohet, sidomos nga fëmijët, atëherë motivohem për të bërë edhe më mirë. Njerëzit më shohin dhe fëmijët frymëzohen, ndaj unë ndiej përgjegjësinë se duhet t’i bëj krenarë.
A është e vërtetë që keni edhe origjinë italiane?
Po. Babai im ka një tatuazh me flamurin italian, që i kushtohet gjyshes sime, e cila ishte siciliane. Po të ishte ende në jetë, ajo do të kishte qenë shumë e lumtur për kalimin tim te Milani. Përveç shokëve të Çelsit, keni edhe një shok kombëtareje në ekip. Është bukur që punoj në përditshmëri me Junus Muhsahun. E kam mik, përveç se shok në kombëtare. Buzëqeshja dhe personaliteti i tij janë frymëzim për të tjerët. Sa për cilësitë në fushë, mund të them se ia njoh e do të dalin edhe më shumë në pah me Milanin. Ai po më ndihmon tej mase edhe me gjuhën.
Si është të luash me lojtarë si Teo e Leao?
Kur bashkoni lojtarë të fortë, mund të ndodhin gjëra të mira. Çdo ditë përpiqemi ta bëjmë më të mirën me njëri-tjetrin dhe duam ta tregojmë në fushë sa herë që na jepet mundësia. Cili është roli juaj? Deri tani kam luajtur shpesh në krahun e djathtë, por kemi studiuar edhe pozicione të tjera me trajnerin. Në ekip kanë ardhur edhe lojtarë të tjerë të aftë për të luajtur në krahë, dhe për këtë arsye ka një dialog të hapur se cili do të jetë pozicioni im në fushë. Do të ketë gjithashtu një mundësi për të luajtur si fantazist.
Cilat janë objektivat tuaja personale?
Dua t’u tregoj të gjithëve sa vlej duke luajtur si titullar. Dua ta ndihmoj skuadrën duke shënuar gola dhe duke dhënë asiste, kjo është puna ime. Dua të fitoj titullin dhe të jem konkurrues në të gjitha turnetë. Dëshiroj të jem pjesë e historisë së Milanit në maksimum të mundësive të mia.
REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL