Vinicius Junior nuk ndalet së përmirësuari si lojtar. I shpallur më i miri i ndeshjes në “Allianz Arena” të martën në Ligën e Kampioneve është një dëshmi e kësaj.
Ai vazhdon të hedhë hapa drejt majës, në kërkim të titujve për skuadrën e tij dhe njohjes personale për paraqitjet e tij, që sa vjen e përmirësohet. Në moshën 23- vjeçare, ai e di se kufiri i tij ende nuk është përcaktuar përfundimisht, se kufiri i përparimit që ekziston në këmbët, trupin dhe kokën e tij kalon përmes punës, të nxënit dhe përshtatjes me atë që i nevojitet Realit të Madridit. Ari po vjen për brazilianin. Ai i ka dy hapa larg, ato që i duhen atij dhe skuadrës së tij për të bërë sërish histori duke fituar një tjetër Champions.
Si për brazilianin dhe për ndonjë nga shokët e tij të skuadrës në dhomat e zhveshjes së Madridit, ndeshjet si ajo e së martës në Munih janë një tjetër gur themeli gjatë rrugës drejt lavdisë. Liga e Kampionëve është kompeticioni që përcakton trendin, ai që tregon rrugën që duhet të ndjekin lojtarët dhe ekipet e mëdha. As Vinicius dhe as pjesa tjetër e lojtarëve të Real Madridit nuk i shpëtojnë kësaj. Ata përgatiten për të shijuar dhe për t’i bërë njerëzit të kënaqen.
DËMTIMET – Muajt e parë të sezonit nuk ishin të lehtë për Viniciusin. Për herë të parë në karrierën e tij, ai e dinte se çfarë do të thoshte të dëmtohesh. Përgatitja fizike e ndihmoi atë të shkurtonte periudhën e riaftësimit, por nga ana tjetër ishte një paralajmërim për të. Ky paralajmërim e ndihmoi atë të përgatitej më mirë se kurrë. Trupi dhe mendja perfekte e përgatitur për të vazhduar hapat përpara. Vinicius ishte dhe është i vetëdijshëm se për t’u përmirësuar dhe për të hyrë plotësisht në Olimpin e perëndive të futbollit, repertori i tij duhej të rritej. Ançeloti e sfidoi atë të fillonte të luante nga brenda, për të kërkuar një skenë në të cilën ai do të zbulonte gjithçka që përmban fuqia e tij fizike dhe teknike.
Braziliani e ka fituar këtë sfidë dhe po tregon se është i aftë të vazhdojë të rritet si futbollist. Loja e tij larg nga krahu i majtë po rezulton të jetë po aq efikase me atë kur ai ishte në gjendje të driblonte në anësore. Që nga janari ai shihet duke luajtur brenda, duke shkelur vazhdimisht në zonë. Numrat janë aty. Mbetet vendimtar pavarësisht nga hapësira që zë kur sulmon. Një tjetër rekord që është rritur në mënyrë eksponenciale në bazë të stërvitjes dhe sakrificës është përcaktues. Ai nuk ngutet, di të presë momentin dhe tani finesa ka marrë përparësi ndaj nxitimit, që ndonjëherë e tradhtonte. Goli i parë kundër Bajernit ishte perfekt.
NUMRA TË QENËSISHËM – Vinicius numëron 24 gola në 23 ndeshje kualifikuese në Champions. Asnjë lojtar nuk ka kontribuar më shumë gola në Champions League në tre vitet e fundit. Ai është lojtari i vetëm së bashku me Kristiano Ronaldon dhe Litmanen që shënon në tri gjysmëfinale radhazi të Ligës së Kampionëve. Të gjitha këto përmirësime vijnë edhe nga dora e një fiziku të kuruar ditë e natë. Jeta e tij është futbolli.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL