Hansi Flik drejtoi seancën e tij të parë stërvitore në krye të Barcelonës më 11 korrik të këtij viti dhe, që atëherë, Barça ka marrë një kthesë praktikisht 180 gradë.Trajneri gjerman ka vetëm tre muaj në krye të ekipit, por tashmë e ka modeluar skuadrën sipas idesë së tij për lojën edhe pse i është dashur të përballet me probleme të shumta, kryesisht si pasojë e dëmtimeve. Gazeta “Marca” i ka bërë një analizë të detajuar të gjitha risive që Flik ka sjellë te Barcelona, duke e kthyer skuadrën blaugrana në një pretendente serioze për titullin në La Liga në këtë sezon.
Basti për 4-2-3-1 – Hansi Flik ka zgjedhur skemën 4- 2-3-1, duke lënë disi pas dore 4-3-3 karakteristike të epokave të mëparshme. Është sistemi bazë i trajnerit, por ai ka treguar se nuk është i mbyllur për variante të tjera. Përveç kësaj, Flik ka zgjedhur të operojë me një skuadër agresive me presing të lartë dhe lojtarët shumë të angazhuar gjatë 90 minutave. Pa frikë me rotacionet – Në fillim të sezonit, mungesat e kanë dëmtuar jo pak skuadrën, kryesisht për shkak të dëmtimeve të ndryshme, të vjetra e të reja. Por Hansi Flik nuk ka hezituar të tërhiqet nga “gardëroba” e tij. Ai është i vetëdijshëm se kalendari i Barcelonës (jo vetëm i asaj) është mbytës dhe për këtë arsye nuk heziton të bëjë rotacione edhe nëse kjo do të thotë t’u japë një alternativë lojtarëve shumë të rinj. Ai e vlerëson shumë punën e futbollit bazë, e thënë ndryshe akademisë.
Një makineri në sulm – Barcelona është shquar gjithnjë për futbollin e saj sulmues. Të njëjtën gjë ka bërë dhe me paraardhësin e Flik, Ksavin. Gjithsesi, në sezonin e kaluar Barça vuajti jo pak para porte. Me ardhjen e Flik, gjithçka duket se ka ndryshuar. Barcelona ka shënuar 28 gola në La Liga, nëntë më shumë se Reali i Madridit, i cili ekipi i dytë me më shumë gola në kampionat. Edhe në Champions, ai ka shënuar gjashtë gola në dy ndeshje. Levandovski kryeson klasifikimin e La Liga-s me dhjetë gola, katër më shumë se Ajoze Perez. Nuk mund të mohohet dora e Flik në rigjenerimin e sulmuesit polak. Trajneri gjerman ka mundur të nxjerrë, siç bëri te Bajerni, versionin më të mirë të 36-vjeçarit që në ditën e parë të punës te Barcelona.
Nga zhgënjimi në iluzion – Tifozët e Barcelonës e mbyllën sezonin e kaluar me një shije shumë të hidhur. Skuadra nuk arriti të fitonte asnjë trofe, dhe për më shumë pothuaj në të gjitha kompeticionet doli shumë shpejt nga gara. Tani, tribunat janë mbërthyer nga euforia. Fillimi i mrekullueshëm i Hansi Flikut ka bërë që tifozët të fiksohen sërish me ekipin.
Përmirësimi fizik – Një nga aspektet që Hansi Flik duhej të përmirësonte ishte përgatitja fizike e skuadrës. Vetë Laporta shpjegoi se niveli i skuadrës zakonisht binte pas minutës së 60-të dhe kjo rëndoi jo pak mbrojtjen. Pikërisht, trajneri gjerman e ka vënë shumë theksin në këtë aspekt që në seancën e parë gjatë fazës përgatitore dhe pa dyshim që tashmë po korr frytet e punës së madhe të bërë në verë. Ndryshimi i rutinës – Trajneri ka zgjedhur edhe disa ndryshime në rutinën e përditshme, duke menduar gjithmonë që lojtarët të mbërrijnë në lojë në kushtet më të mira. Për shembull, skuadra udhëtoi për në Girona një ditë para ndeshjes, sepse ndeshja ishte herët pasdite. Edhe në Champions, skuadra nuk u kthye menjëherë pas takimit, por e kaloi natën në Francë.
Përfshirja në projekt – Hansi Flik është njëqind për qind i përfshirë në projektin e klubit. Trajneri, për shembull, nuk heziton të ndalojë automjetin kur largohet nga trajnimi për të përshëndetur tifozët. Gjithashtu nuk është e çuditshme ta shohësh atë në ditët e pushimit duke parë një seancë stërvitore apo ndeshje në kategoritë më të ulëta.
Korrektësia – Trajneri i Barcelonës është shfaqur shumë korrekt dhe i përmbajtur si në konferencat për shtyp ashtu edhe në gjestet e tij në stol. Edhe pse u përgjigjet të gjitha pyetjeve, ai nuk hyn kurrë në polemika. Një imazh që projektohet edhe në stol. Kamerat fiksuan se si, kur Erik Garsia u nxor me të kuqe në ndeshjen kundër Monakos, ai merr një shishe me ujë për ta flakur tej nga zhgënjimi, por ai reflekton dhe e vendos përsëri me kujdes. Ai është i vetëdijshëm se gjithçka që thotë ose bën është nën qendër të vëmendjes.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL