Sulmuesit kundërshtarë i shtyn, i provokon, i asfikson deri sa t’u heqë hapësirën dhe… ajrin.
Françesko Açerbi i fshin pothuajse gjithmonë “pykat” që ndodhen përpara tij. I anulon të gjithë, një nga një. Kjo ndodhi në ndeshjen vendimtare për titullin kundër Retegit në Bergamo, por gjithashtu kudo, gjatë gjithë sezonit. Lista është e gjatë dhe nuk kufizohet vetëm te sulmuesi i Kombëtares italiane.
RETEGI- Vlerësimet e mediave italiane e pasqyrojnë shumë mirë si performancën e Açerbit, ashtu edhe atë të Retegit në sfidën Atalanta-Inter. “Dominues gjithmonë dhe kudo. Kundërshtarët “i shpërfytyron”, ai i fut të gjithë në xhepin e tij njëri pas tjetrit”.
Krejt ndryshe për Retegin ku thuhet: “Të kesh një Açerbi kaq të dhunshëm është si të jesh në burg, pothuajse i fshirë, i mbeten pak topa dhe vetëm gjuajtje të komplikuara e më pas të bllokuara”. Edhe në ndeshjen e parë, gushtin e kaluar në San Siro, Retegi nuk pati një performancë më të mirë se sfida e kthimit. Shumë pak topa të prekur, asnjëherë i rrezikshëm dhe Interi dominues. Rezultati i përgjithshëm i dy ndeshjeve është 6-0.
LUKAKU- Shprehja “ta fusësh në xhep” ndoshta nuk është më elegante, por përmbledh shumë mirë përballjet mes Açerbit dhe Lukakut. Në Napoli, në një tjetër sfidë për titullin, mbrojtësi i Interit e fshiu përsëri ish-shokun e skuadrës. Asnjë hap i tepërt, asnjë hapësirë më shumë, asnjë driblim. Nëse Lukaku zhduket kur luan kundër Interit, shpeshherë fajin e ka Açerbi. Edhe në San Siro në fazën e parë, Lukaku u fshi nga Açerbi. Belgu si ish-lojtar, kundër Interit ka luajtur katër herë (dy herë me Romën dhe dy herë me Napolin), por asnjëherë nuk ka arritur të lejë shenjë. Pse? Sepse gjithmonë ka pasur përballë Açerbin.
KEN- Një fakt i qartë është se Fiorentina-Inter pa Açerbi përfundoi 3-0 në favor të skuadrës nga Firence. InterFiorentina me Açerbin në fushë u mbyll 2-1 për Interin. Pa ish-lojtarin e Lacios në fushë, Ken shënoi dy gola dhe ishte lojtari më i mirë në fushë. Me të, i anuluar totalisht. Po kjo a është një shenjë?
DOVBYK- Tetorin e kaluar, në stadiumin “Olimpico” u luajt Roma-Inter. Duhet theksuar se ndeshja e Açerbit zgjati vetëm rreth gjysmë ore për shkak të një dëmtimi muskulor, por gjatë asaj kohe Dovbyk nuk ka mundur të prekë asnjë top. Teknika e mbrojtësit të Interit? E njëjtë gjithmonë, asfiksia. Sa më i strukturuar fizikisht të jetë sulmuesi, aq më mirë është si pre për Açerbin.
HAALAND- “Po të më kishe kërkuar fanellën, do të ta jepja pa problem, nuk ke pse të ma heqësh me dhunë”. Ky ishte dialogu mes Halandit dhe Açerbit në fundin e ndeshjes së përfunduar 0-0 në Angli mes Sitit dhe Interit. Norvegjezi ishte shumë nervoz, i bllokuar totalisht nga Açerbi dhe i rrezikshëm vetëm në pak raste.
PANORAMASPORT.AL