“Futbollistët e mëdhenj lindin në rrugicat e lagjeve. Unë shpresoj gjithashtu që të bëhem një futbolliste e madhe, sepse edhe unë sikurse yjet, kam nisur fillimisht të luaj në lagje me moshatarët dhe vëllëzërit e mi”. Marinela Mema ka ëndrra të mëdha. Luan futboll që prej moshës 12-vjeçare dhe ia ka dalë të mposhtë çdo paragjykim në qytetin e Fierit.
Nga ‘ajo vajza që luan futboll’, sot Marinela është futbolliste dhe titullare e padiskutuar e skuadrës së Apolonisë, ndërsa është edhe pjesë e ekipit kombëtar A të vajzave.
Futbollin e sheh si një shkollë të dytë që e ka ndihmuar shumë në disa aspekte, teksa e sheh veten më të pjekur se bashkëmoshatarët e saj.
Në një intervistë për rubrikën ‘Talenti Shqiptar’ për fshf.org, Mema tregon se ka qenë pikërisht i ati, ai i cili e ka mbështetur në hapat e saj të parë në futboll, ndërsa tregon se ndihet e vlerësuar që është pjesë e ekipit kombëtar A dhe se punon çdo ditë që të jetë pjesë e listës së padiskutuar të trajnerit Armir Grima. Nga idhulli ‘Luka Modric’, te vajzat që luajnë futboll dhe mesazhi për to – ky është rrëfimi i Marinela Memës.
-Çfarë ju ka shtyrë të përfshiheshit në botën e futbollit? Sa vjeçe ishit kur nisët të luanit?
– Futbolli ka qenë pasioni im që në fëmijëri. Vijon në fakt të mbetet ende pasioni im më i madh. Kam qenë vetëm 12 vjeçe kur jam bërë pjesë e ekipit të Apolonisë, ku luaj edhe sot e kësaj dite.
-Na tregoni pak për hapat e tua në karrierë, ku e nisët dhe si vazhdoi gjithçka?
– Futbollistët e mëdhenj lindin në rrugicat e lagjeve. Unë shpresoj gjithashtu që të bëhem një futbolliste e madhe, sepse edhe unë sikurse yjet, kam nisur fillimisht të luaj në lagje me moshatarët dhe vëllëzërit e mi. Më pas, siç e përmenda, në moshën 12-vjeçare jam bërë pjesë e ekipit të vajzave të Apolonisë dhe aty nisi edhe ëndrra ime të bëhej realitet. Apolonia është ekipi im i parë dhe shpresoj që të fitoj gjithçka një ditë me këtë ekip.
-Për vajzat nuk është e lehtë të merren me futboll, po për ju si ka qenë? Kush ju ka mbështetur më shumë?
– Ka qenë shumë e vështirë. Nuk kanë munguar as paragjykimet sigurisht. Një vajzë që luan futboll?
Njerëzve u dukej e pakuptimtë, sepse sipas një pjesë e madhe e tyre mendojnë që këtë lloj sporti duhet ta luajnë vetëm djemtë.
Më vjen mirë që tani ka ndryshuar mentaliteti dhe ndihem mirë kur shoh edhe tifozë në shkallët tona të stadiumeve duke na përkrahur.
Kush më ka mbështetur?
Familja ime sigurisht, e sidomos im atë ka qenë dhe është përkrahësi im numër 1. Më ndjek gjithmonë, edhe kur luaj me Apoloninë, por edhe me ekipin kombëtar.
-Keni ndonjë idhull, futbollist apo futbolliste që ju motivon?
– Sigurisht që kam një idhull. Ai është futbollisti kroat dhe mesfushori i Real Madrid, Luka Modrić. Më pëlqen shumë zhdërvjelltësia tek ai, pasimet inteligjente dhe niveli që ai lojtar ka treguar ndër vite dhe vijon të tregojë ende, pavarësisht moshës së tij.
-Sa ka ndikuar futbolli te ju, në çdo aspekt të jetës? Ju kanë parë ndryshe apo diçka tjetër?
– Në fillimet e mia shihesha shumë ndryshe. Më etiketonin si ‘ajo vajza që luan futboll’. Në të njëjtën kohë ndihesha e paragjykuar, por nga ana tjetër kisha edhe shumë vlerësime nga njerëz të ndryshëm. Më vlerësonin për atë që unë bëja, që luaja futboll.
Përveçse nga ana profesionale, futbolli më ka ndihmuar të rritem edhe shumë si njeri. Vetë futbolli është një shkollë. Edhe pse jam ende e vogël në moshë, ndihem më e pjekur.
E shoh çdo gjë në jetë si një sfidë për t’u fituar, ashtu sikurse ndeshjet e futbollit. Kam njohur shumë shoqe e shokë të rinj nga ky sport dhe mund të them që miqësinë time të ngushtë e kam pikërisht nga futbolli.
-Kohët e fundit futbolli i vajzave po merr mbështetje nga FIFA, UEFA dhe FSHF. Si e shikoni këtë?
– Hap shumë pozitiv. Mbështetja është e dukshme, pasi futbolli i vajzave po rritet dita-ditës.
Sigurisht që ndikojnë edhe incentivat financiare dhe materiale. Për shembull, shoh shumë vajza të reja që nxitojnë të bëhen pjesë e këtij sporti. Ne e kishim më të vështirë të luanim hapur futboll dhe të ishim pjesë e ndonjë skuadre.
Tani janë krijuar ekipe moshash, futbolli luhet që në kopësht me projektin ‘PlayMaker’ dhe më pas edhe në shkollat 9-vjeçare. Uroj që të bëhemi sa më shumë vajza në këtë sport kaq të bukur.
-Ju jeni pjesë e kombëtares shqiptare. Çfarë domethënie ka për ju? Çfarë emocionesh ju jep të luani për Shqipërinë?
– Ku ka kënaqësi më të madhe se të luash për fanellën e Shqipërisë. Unë jam shumë e lumtur që jam pjesë e ekipit kombëtar dhe duket se e gjithë puna ime dhe i gjithë përkushtimi im, duke lënë pas edhe ato ‘qejfet’ e moshës janë vlerësuar, duke m’u dhënë mundësia të luaj për Shqipërinë.
– Si e more ftesën për të përfaqësuar Shqipërinë? Si e mban mend herën e parë te Kombëtarja? Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje atëherë? Në mos gaboj, jeni grumbulluar për herë të parë nga trajneri Grima në një grumbullim në Mal të Zi..
Unë jam prej disa vitesh pjesë e ekipeve të moshave të Shqipërisë U-17 dhe U-19. Pra, i kam kaluar disa faza, duke qenë pjesë edhe në formacionet titullare falë besimit të trajnerëve.
Por, ftesa nga ekipi A është shumë më e veçantë sigurisht se ftesa që vjen nga ekipet e moshave. Jam thirrur për herë të parë në Mal të Zi nga trajneri Armir Grima, në një grumbullim rutinë të ekipit kombëtar A.
Kam kaluar shumë mirë, jam mirëpritur nga të gjitha vajzat e skuadrës dhe e kam parë si një sfidë për mua, për të qenë pa diskutim pjesë e listës së Kombëtares në cdo grumbullim e ndeshje.
-Çfarë mesazhi i jep vajzave që u thuhet se futbolli është vetëm për djem?
Mos të reshtin së ëndërruari. Futbolli është edhe për vajzat. Nuk ka rëndësi mendimi i të tjerëve. Jam pa diskutim e bindur që me mbështetjen e familjes, do t’ia dalin të realizojnë ëndrrën më të bukur: të luajnë futboll!.