Fikajo Tomori ka qetë suar tifozët e Milanit sa i përket shkelmave që mori në kavilje dhe zëvendësimit në fitoren 2-0 të Anglisë kundër Maltës të premten. Sipas asaj që raportojnë mediat britanike, zëvendësimi në minutën e 46-të ka qenë një masë paraprake e Sauthgejt që lojtari të mos rrezikonte daljen me të kuq, pasi e kishte marrë një të verdhë.
Pra, nuk ka të bëjë me ndonjë dëmtim të tijin siç u përfol në disa media. Ndërkaq, qendërmbrojtësi 26-vjeçar ka dhënë një intervistë nga grumbullimi i Anglisë. Jo vetëm për ekipin e Sauthgejtit, por edhe për Milanin ku këtë vit po paraqitet në nivelet e sezonit të titullit. Pas sezonit të kaluar, ku sigurisht nuk shkëlqeu, anglezi ka marrë komandën e prapavijës dhe së bashku me Tomorin janë shpresa e skuadrës për të mos pësuar në ndeshjet e radhës, dhe sidomos të mos dëmtohen pasi dihet që katër alternativat në qendër të mbrojtjes janë jashtë për arsye dëmtimesh, dhe në afate të shkurtra vetëm Kjaeri ka shpresa rikuperimi. Lidhur me situatën, ka folur pikërisht Tomori.
Mund të na flisni pak për transferimin në Itali?
Zbarkimi në Milano më ndihmoi, më lejoi të kisha një këndvështrim ndryshe nga mënyra sesi njerëzit e shohin futbollin. Kampionati në Itali është ndryshe dhe njerëzit që e ndjekin. Jo vetëm në futboll, por edhe jeta ime ka ndryshuar dhe kultura italiane më përshtatet. Italianët zakonisht janë të qetë, por kur bëhet fjalë për futbollin bëhen shumë të pasionuar. Është një përvojë ndryshe, nga e cila kam mësuar shumë.
Si ndiheni te Milani?
Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe që punoj çdo ditë për të bërë histori me Milanin. E vërtetë, në javët e fundit disa gjëra nuk kanë shkuar siç do të kishim dashur, por jam i bindur se i kemi cilësitë për të bërë më mirë.
Edhe kombëtarja po ju konsideron më shumë apo jo?
Mendoj se kur isha 21 vjeç dhe u thirra për herë të parë, bëra disa paraqitje nga pankina, pastaj gjatë vitit të pandemisë nuk luajta shumë, kështu që padyshim që nuk mund të grumbullohesha.
Si e shpjegoni këtë alternim në thirrjet e Sauthgejtit?
Kur shkova te Milani dhe zhvillova grumbullimin ndihesha më mirë, por më pas humba disa thirrje në kombëtare. Ky sezon ka nisur shumë mirë dhe kam arritur të luaj disa ndeshje, prandaj jam grumbulluar më shpesh me Anglinë.
Cilat janë objektivat tuaj me Anglinë?
Kjo është hera ime e tretë radhazi që jam pjesë e Anglisë. Kështu që jam vërtet, shumë i kënaqur me mënyrën sesi po shkojnë gjërat dhe mendoj se tani duhet të qëndroj me këmbë në tokë, të përpiqem të arrij në grumbullimin e radhës dhe në ato që do të vijnë.
Ishim dy gola në avantazh, nuk duhej ta linim të përfundonte në barazim. Duhet ta shikojmë sërish ndeshjen për të analizuar dhe mësuar nga gabimet tona. Mendoj se filluam mirë, në fund të pjesës së parë ishim dy gola përpara dhe me cilësitë tona nuk duhet të lejojmë të ndodhin më këto situata. Ishim ne që i dhamë Leçes një shtysë më shumë me gabimet tona.
Mos ju mungon motivimi?
Ne duhej të merrnim gjërat pozitive nga ndeshja e PSG-së. Qasja me Leçen ishte e drejtë, si një ekip i pjekur. Duke pasur parasysh cilësitë tona, nuk duhet të nxitonim aq shumë, sepse kundërshtarët mund të të shënojnë. Duhej të qëndronim një ekip dhe nuk e bëmë.
Si është Pioli në krahasim me Sauthgejtin?
Kombëtarja ndryshon nga klubi, ashtu si Premier Liga është një kampionat ndryshe nga Seria A. Mendoj, megjithatë, ndryshimi qëndron te detajet e vogla që kërkon Pioli nga unë dhe ajo që kërkon Sauthgejti nga unë. Ato detaje të vogla që mund të jenë në një ndeshje, ndoshta nuk janë në tjetrën. Objektivi im mbetet të përmirësohem dhe ky sezon ka nisur shumë mirë.
A ndryshojnë detyrat mbrojtëse nga Milani te Anglia?
Janë detajet ato që bëjnë diferencën. Çfarë duhet bërë me apo pa top, komunikimi. Të gjitha janë të rëndësishme për një mbrojtës. Të jesh i zoti në gjetjen e pasimit të duhur ose të pozicionohesh në mënyrën më të mirë për të ndihmuar skuadrën kur mbrohet. Këto janë gjëra që më kanë kërkuar, por në disa ndeshje mund të më kërkohen gjëra të ndryshme. Trajneri më ndihmon dhe e ndjej që ka vend për mua në ekip.
Çfarë raportesh keni me shokët e skuadrës?
Përpiqem të dëgjoj shokët e skuadrës e të përmirësohem. Ka shumë lojtarë të nivelit të lartë në ekip dhe për mua është e lehtë. Në stërvitje luaj me Leaon apo Çukvuezen, ndërsa në kombëtare me Herri Kejnin, Uilsonin apo Uotkinsin të cilët janë lojtarë që të sfidojnë, të stimulojnë të përmirësohesh. Mes kolegësh e ndihmojmë njëri-tjetrin, në fund të gjithë luajmë për të njëjtin ekip dhe kemi të njëjtin objektiv.
Distanca në renditje me kreun po zgjerohet?
Duhet të përmirësohemi, në disa situata u penalizuam nga rezultati, si për shembull në Leçe dhe në Napoli patëm dy avantazhe dhe morëm dy barazime. Duhet të jemi më të fokusuar për të gjithë 95 minutat, përndryshe kampionati do të vështirësohet.
REINOLD BAKALLI- PANORAMASPORT.AL