Friday, 26. June 2026
Futboll

Nga shitësi i produkteve të pastrimit te heroi i Ekuadorit-Historia frymëzuese e Sebastian Beccacece

GS 26/06/2026 3 Min. Lesezeit

Sebastian Beccacece është shndërruar në heroin e ri të Ekuadorit, pasi udhëhoqi kombëtaren drejt kualifikimit historik në fazën eliminatore të Kupës së Botës. Fitorja 2:1 ndaj Gjermanisë ndryshoi plotësisht atmosferën rreth trajnerit argjentinas, i cili vetëm pak ditë më parë ishte objekt kritikash të ashpra nga tifozët.

Menjëherë pas golit të fitores, Beccacece u ngjit në tribunat e stadiumit për të festuar me bashkëshorten e tij, Patricia Persson. Pas përfundimit të ndeshjes, ai u rikthye sërish pranë saj, ku momentet e përqafimeve dhe emocioneve u bënë simbol i një suksesi të shumëpritur.

Ky triumf vjen pas një periudhe të vështirë. Barazimi pa gola ndaj Kuraçaos dhe kritikat pas ndeshjeve të para kishin krijuar tension të madh rreth kombëtares. Madje, bashkëshortja e trajnerit kishte reaguar ndaj ofendimeve të tifozëve, duke u përballur me ta nga tribuna.

“Më vjen keq që nuk kam arritur të hyj në zemrat e tifozëve ekuadorianë. Ndoshta nuk jemi lidhur, por e pranoj këtë”, kishte deklaruar Beccacece pas një prej ndeshjeve që shkaktoi pakënaqësi.

Megjithatë, fitorja ndaj Gjermanisë ndryshoi gjithçka. Ekuadori siguroi kalimin në fazën tjetër, ndërsa trajneri fitoi besimin e tifozëve dhe respektin e opinionit sportiv.

Historia personale e Beccacece është po aq frymëzuese sa edhe suksesi i tij në stol. Ai nuk arriti kurrë të bëhej futbollist profesionist dhe në moshën 17-vjeçare punonte duke shitur produkte pastrimi për të ndihmuar familjen. Në të njëjtën kohë nisi rrugëtimin si trajner, duke stërvitur fëmijë të vegjël.

Licencën e trajnerit e përfundoi përmes studimeve në distancë, ndërsa shansin e parë të madh e mori falë Jorge Sampaolit. Për t’iu bashkuar stafit të tij në Peru, Beccacece udhëtoi plot tri ditë me autobus, pasi nuk kishte mundësi të paguante biletën e avionit.

Për shumë vite ai ishte krahu i djathtë i Sampaolit, me të cilin fitoi Kupën e Amerikës me Kilin dhe mori pjesë në Kupën e Botës me Argjentinën. Gjatë asaj periudhe pati edhe një përplasje të njohur me Lionel Messin në një seancë stërvitore.

Sot, Beccacece është një nga trajnerët më të vlerësuar të futbollit në Amerikën e Jugut. Nga një djalosh që ëndërronte futbollin, por nuk arriti ta luante në nivel profesional, ai është bërë njeriu që udhëhoqi Ekuadorin drejt një prej sukseseve më të rëndësishme në historinë e tij.

Teilen: