Përballja mes Bajern Mynih dhe Bajer Leverkusen në vitet e fundit ka marrë konotacionin e një “derbi” në tokën gjermane.Kësaj radhe, rivaliteti mes tyre do të zbarkojë në Champions, aty ku prestigji nuk ka të sosur. Pas tri takimeve në Bundesligë dhe Kupën tashmë këtë sezon, Bajerni përballet me një “armik” shumë të njohur si Bajer Leverkusen në 1/8 e Ligës së Kampionëve.
Bavarezët shkojnë në ndeshjen e parë të së mërkurës me një rekord të jashtëzakonshëm në shtëpi dhe një portier në prag të një arritjeje të madhe, siç zbulojmë në faktet dhe statistikat para ndeshjes.
PRECEDENTI I 21 NË 1/8 Kjo është hera e 21-të që Bajern është në mesin e 16 më të mirave në Champions. Që nga ndryshimi i mëparshëm në format për sezonin 2003/ 04, vetëm Real Madridi ka arritur në këtë fazë më shpesh (22 herë). Kjo ndeshje kundër Leverkusenit është e nënta për gjigantët nga Mynihu kundër një klubi gjerman (përfshirë Gjermaninë Lindore) në fazën eliminatore të garave evropiane. Bavarezët kanë fituar secilën nga tri ndeshjet e fundit në Evropë.
I PAMPOSHTUR NË SHTËPI PËR KATËR VITE Gjashtë herë kampionët e Evropës kanë humbur vetëm një nga 11 ndeshjet e fundit në shtëpi në 1/8 e Ligës së Kampioneve. Bajerni ka shënuar 41 gola në ato 11 ndeshje, që arrin pothuajse katër për ndeshje. Humbja më e fundit e rekordmenëve në “Allianz Arena”, Evropë, erdhi në prill 2021, kur skuadra e Hansi Flik u mposht 2-3 kundër PSG-së në çerekfinale. Rekordi që nga ajo kohë është 16 fitore dhe 5 barazime në skenën kontinentale, që është aktualisht më i miri nga çdo ekip që konkurron në Ligën e Kampioneve këtë sezon.
MALLKIMI “KSABI” Që nga emërimi i trajnerit Ksabi Alonso në krye të Bajer Leverkusen, Bajern Mynih nuk ka arritur në asnjë rast të fitojë kundër “Aspirinave”. Duket se Alonso ia ka marrë dorën bavarezëve në plot 6 ndeshje, me një bilanc mbresëlënës, aty ku edhe trajnerët më të zëshëm në kontinentin e vjetër do e kishin zili. Në këtë sezon, bavarezët dhe kampionët në fuqi të Bundesligës janë përballur në 3 raste, e përkthyer me dy barazime dhe një fitore në favor të Leverkusenit.
KAPITENI NOJER KËRKON TË 150 NDESHJE Një javë pasi klubi shënoi 125-vjetorin e tij, Manuel Nojer gjithashtu mund të sjellë një moment historik të madh të mërkurën me paraqitjen e tij të 150-të në Ligën e Kampioneve. Ai do të bëhej vetëm portieri i dytë që arrin këtë numër historik pas Iker Kasijas (177).
SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL