Ditë të nxehta te Juventusi dhe jo vetëm për shkak të temperaturave. Drejtuesit vijojnë me ritme të larta punën për të afruar dhe shitur futbollistë. De Shiljo, Mekeni, Artur e ndonjë tjetër janë vetëm disa nga emrat që janë në merkato, teksa Kristiano Xhuntoli punon për të sistemuar Federiko Kiezën dhe Matias Soulen.
Për të parin Roma mbetet destinacioni më i mundshëm, ndërkohë që për argjentinasin janë intensifikuar bisedimet me Lesterin që është gati të paguajë 35 milionë euro. Shuma e përfituar nga dyshja do të jetë e destinuar për merkato dhe pas refuzimit të Atalantës për Kopmainersin (Juvja ofron 40 ndërkohë që bergamaskët presin 60 mln), Juvja është orientuar nga Albert Gudmundson.
Mund të jetë islandezi “goditja me efekt”, teksa për prapavijën Zhan-Kler Todibo është profili ideal. Francezi ka marrë oferta shumë më të majme nga klubet angleze, por fjala e dhënë ndaj bardhezinjve në këto momente po ngadhënjen mbi çdo tundim.
KORSIA – Nevojitet gjithashtu një anësor i djathtë dhe Fransisko Konseisao përkon me dëshirat dhe synimet taktike të Tiago Motës. Problem është kartoni i djaloshit që deri dje vlente 30 milionë euro, teksa nga sot e tutje duhet negociuar me Porton që kurrë nuk ka qenë një “dyqan” i lirë. Di Lorenco që deri pak kohë më parë ishte një dëshirë, tashmë ka bërë prapaktheu, prandaj i takon drejtorit Xhuntoli të bëjë llogaritë e rastit.
Ndërkohë, në orët e fundit duket se Juvja ka bërë një tentativë për t’i rrëmbyer Huan Kabalin Interit, i cili dukej se kishte një akord me lojtarin. Aktualisht klubi bardhezi është i detyruar të shesë, prandaj të gjithë ata me të cilët ka akord janë të detyruar të presin, Ndodhur në këtë situatë, sa më shpejt të vinë paratë, aq më pak shanse do të ketë që klubi të befasohet nga konkurrenca. Siç thamë në fillim, ditë “të nxehta” te Juventusi dhe jo vetëm për shkak të temperaturave.
PANORAMASPORT.AL