Në vetëm pak orë, te Juventusi ka nisur një stuhi që po trazon themelet e klubit.Fitorja e Atalantës ndaj Romës i dha “Zonjës së Vjetër” kontrollin e plotë mbi fatin e saj, për të siguruar një vend në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm. Por, ndërkohë që fushën e futbollit e ndriçon shpresa, korridoret e drejtimit po errësohen nga paqartësitë. Fillimisht, klubi pritet të mbetet pa një figurë të rëndësishme drejtuese. Françesko Kalvo, aktualisht në rolin e menaxherit të përgjithshëm të futbollit, është shumë pranë një largimi drejt Premier Ligës. Largimi i tij është një sinjal i qartë se te Juventusi po vlon një proces ristrukturimi i thellë.
TRAJNERI- Nga pankina vjen një tjetër pikëpyetje. Igor Tudor, trajneri që mori drejtimin në një moment delikat dhe ka rikthyer stabilitetin, ende nuk është i sigurt për të ardhmen. Edhe nëse siguron pjesëmarrjen në Champions dhe paraqitet denjësisht në Kupën e Botës për Klube, që zhvillohet muajin e ardhshëm në SHBA, kjo nuk është garanci për qëndrimin e tij. Një emër që vazhdon të qëndrojë në sfond është ai i Antonio Kontes. Nëse Konte largohet nga Napoli, shumë drejtues bardhezinj janë të gatshëm ta rikthejnë menjëherë në Torino.
MERKATO- E gjithë kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në planifikimin e merkatos. Në krye të listës së nevojave është gjetja e një sulmuesi të ri. Edhe pse është përgënjeshtruar një interes për Viktor Osimhen, çështja e qendërsulmuesit mbetet e hapur. Gjithashtu, qëndrimi i Dushan Vlahoviçit është në dyshim. Kontrata e tij përfundon në vitin 2026, por kërkesat e larta të menaxherit për rinovim nuk përputhen me ofertën e klubit dhe drejtuesit nuk kanë ndërmend të rrezikojnë largimin e tij me parametër zero.
XHUNTOLI- Për më tepër, as e ardhmja e drejtorit Kristiano Xhuntoli nuk është e sigurt. Kritika të brendshme ndaj performancës së tij kanë ngritur pikëpyetje për rolin e tij afatgjatë në projektin juventin. Pikërisht në këtë klimë të pasigurisë ka ndërhyrë edhe vetë Xhon Elkan, figura më e lartë e familjes Anjelli. Ai pritet të marrë vendime të forta dhe ndoshta të dhimbshme, për të siguruar që Juventusi të rikthehet aty ku pretendon: në majën e futbollit.
PANORAMASPORT.AL