Monday, 30. March 2026
Sport

Ngritja e jashtëzakonshme e Fisnik Asllanit brenda një viti: Nga Bundesliga 2 te kalimi i mundshëm te Barcelona si dhe afër Kupës së Botës me Kosovën

GS 30/03/2026 2 Min. Lesezeit

Futbollisti që po shkëlqen më së shumti nga Kosova në Evropë është padyshim qendërsulmuesi i Hoffenheimit Fisnik Asllani.

Ylli i skuadrës gjermane përpos që po e ndihmon Kosovën të sigurojë kualifikimin në Kupën e Botës 2026, edhe po kërkohet nga top gjigantët evropianë si Barcelona, Bayern Munich e Borussia Dortmund.

Megjithatë, ajo që bie më së shumti në sy është përparimi më i madh që ka bërë Fisnik Asllani, atë brenda vetëm një viti.

Para një viti, Asllani ishte duke luajtur për Elvsbergun në Bundesliga 2, me shpresën për ta kompletuar objektivin – kualifikimin në elitën e futbollit gjerman, gjë që s’e arritën në sfidën e fundit.

Sidoqoftë pas atij sezoni, Asllani vendosi të qëndrojë te Hoffenheimi edhe pse kishte disa oferta, vendim që rezultoi të jetë më i duhuri ngase e fitoi vendin e titullarit si dhe u bë sulmuesi më i mirë– për ta “larguar” Mërgim Berishën, lojtarin që e refuzoi Kosovën.

Edhe statistikisht Asllani qëndron tepër mirë, ku ka shënuar tetë gola e dhuruar pesë asistime në 26 paraqitje për Hoffenheimin.

Falë këtyre paraqitjeve pozitive, Asllani ka fituar vëmendjen e tre gjigantëve evropianë si Barcelona, Bayern Munich dhe Borussia Dortmund që po e konsiderojnë seriozisht si transferim i mundur në verë – kurse presin t’ia aktivizojnë klauzolën e lirimit prej 25-30 milionë eurove.

Një ndikim të madh Asllani e ka pasur edhe te Kosova, ku e ka fituar vendin në formacionin e Franco Fodas në sistemin 3-5-2 pranë Vedat Muriqit, kurse tani janë një hap larg kualifikimit në Kupën e Botës.

Përpos nëse ndodhë ndonjë gjë e papritshme, Asllani pritet të jetë titullar edhe kundër Turqisë, me objektivin që t’i ndihmojë “Dardanët” të bëjnë ëndrrën e tërë popullit realitet./Telegrafi

Teilen: