Nga një lojtar në qendër të merkatos, në një pjesë të rëndësishme të projektit bardhezi. Nico Gonzalez do të vazhdojë të jetë pjesë e Juventusit. Pas zërave të shumtë, rinovimi i kontratës u zyrtarizua mbrëmë, pasi gjatë verës qëndrimi i tij në Torino dukej larg të qenit i sigurt.
Rikthimi nga huazimi tek Atletico Madrid ndryshoi gjithçka. Sulmuesi argjentinas fitoi besimin e Luciano Spallettit me paraqitje bindëse. Trajneri bardhezi kishte deklaruar: “Nico Gonzalez është një lojtar që di të jetë pjesë e grupit. Jemi të lumtur nëse qëndron dhe nuk kemi ndërmend ta dhurojmë. Për ne është e rëndësishme të kemi alternativa”.
Goli ndaj Parmës dhe ndikimi në ndeshjet e para të sezonit bindën drejtuesit Carnevali dhe Massara “ta blindojnë” me një marrëveshje të re, deri në qershor 2030, me rritje të pagës, aktualisht 3.6 milionë euro në sezon.
Kështu, një largim i mundshëm është shndërruar në konfirmim. Nico Gonzalez do të mbetet bardhezi dhe do të jetë një nga lojtarët mbi të cilët Juventusi do të ndërtojë të tashmen dhe të ardhmen. Argjentinasi ka shprehur dëshirën për të vazhduar bashkëpunimin. Të shtunën ai rikthehet në “Continassa”, pas ndeshjes së lamtumirës së Messit me Argjentinën. Spalletti e pret.
“Përshëndetje, bardhezinj! Jam shumë i lumtur që kam rinovuar kontratën. Dua të falënderoj klubin për besimin dhe të gjithë njerëzit që më kanë shoqëruar deri këtu. Mezi pres ta nis këtë aventurë të re dhe të jap gjithçka për këtë fanellë. Forca Juventus!” – u shpreh futbollisti në një video të publikuar nga klubi.