Interi dhe Nico Paz është një lidhje që përmendet prej kohësh, por që deri tani nuk ka gjetur kushtet e duhura në merkato. Arsye janë vendosmëria e Como-s për ta mbajtur lojtarin, vlerësimi i tij i lartë prej 60-70 milionë eurosh dhe ndikimi që vazhdon të ketë Real Madridi mbi mesfushorin ofensiv argjentinas.
Megjithatë, një foto në Instagram e publikuar nga Paula de la Fuente, bashkëshortja e Javier Zanetti, pas një darke në restorantin milanez “Botinero”, ka ndezur imagjinatën e tifozëve të Interit. Në foto shfaqen Nico Paz, babai i tij Pablo Ariel, Javier Zanetti dhe legjenda tjetër zikaltër Diego Milito. “Aura”, ishte komenti i Paula-s mbi fotografinë.
Ndërkohë, situata kontraktuale e 21-vjeçarit është e veçantë. Real Madridi ka një klauzolë riblerjeje: 9 milionë euro më 2026 dhe 10 milionë më 2027, e vlefshme zakonisht në fillim të korrikut. Për këtë arsye, Como mund të detyrohet ta shesë më herët, përveç nëse marrëveshja me madrilenët rinegociohet.
