Turi i 83-të Çiklistik i Shqipërisë ka ulur siparin me etapën e pestë Vlorë–Fier e gjatë 122.5 kilometra. Për mbarëvajtjen e garës, Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier kishte bllokuar rrugët dhe në orën 13:15 i pari e preu finishin Gabriele De Fabritis, që përfaqëson Shqipërinë. Në vendin e dytë ishte greku Georgios Buglas, kurse në vendin e tretë rumuni Alin Toader. Menjëherë pas përfundimit të garës, De Fabritis do të shprehte emocionet e tij.
“Ishte një tur i vështirë. Nuk kam qenë në formën time më të mirë, por jam munduar të jap maksimumin tim. Ka munguar disi rivaliteti, por gjithsesi unë ndjej gjithmonë këtë fanellë kur e vesh. Jam shqiptar sa herë vij të garoj këtu dhe ndihem gjithnjë e më shumë kuqezi. Ndihem mirë që fitova në Fier”, tha Gabriele De Fabrittis
Ndërkohe fituesi i gjithë edicionit u shpall hollandezi Niels Reemeijer, i cili u shpreh mjaft i emocionuar, teksa Shqipërinë e ka cilësuar një vend të bukur.
“Ishte një garë e qetë sot dhe e përfundova gjithçka me grupin e parë. Jam i lumtur që dola fitues i Turit të 83-të të Shqipërisë dhe mbi të gjitha që skuadra ime doli përsëri triumfatore. Sigurisht që do të jemi prezent dhe vitin e ardhshëm në Turin e Shqipërisë, sepse më pëlqen si aktivitet dhe mbi të gjitha më pëlqen vendi juaj”, tha Niels Reemeijer.
Ky aktivitet solli në Shqipëri frymën e çiklizmit ndërkombëtar duke promovuar sportin, garën dhe bukuritë e vendit përgjatë pesë ditëve intensive të këtij turi.