“Nike” dhe Federata Angleze e Futbollit nuk kanë në plan të tërheqin fanellën e re të kombëtares së Anglisë, pavarësisht protestave të tifozëve për ndryshimin e flamurit të Shën Xhorxhit. Shumë tifozë reaguan të zemëruar pas ndryshimit të simbolit nga gjiganti sportiv amerikan i veshjeve sportive, i cili e zëvendësoi kryqin e kuq tradicional me një me kryq shumëngjyrësh: blu, bojëqiell dhe vjollcë.
Shumë tifozë kërkojnë që të rikthehet flamuri në ngjyrat e tij tradicionale. Por fanella e re e Europianit ka mbështetjen e plotë të Federatës Angleze. Mendohet se modeli i ridizajnuar i flamurit ishte produkt i një stilisti të “Nike”, i cili më pas u miratua nga FA. Ata mendonin që të respektonin simbolet e përdorura në fanellën e Anglisë kur kjo kombëtare fitoi Kupën e Botës 58 vjet më parë.
Kjo fanellë mori dritën jeshile për t’u prodhuar dy vite më parë dhe tani konfirmohet se Anglia do të luajë me të në “Euro 2024”. Edhe nëse ekzistonte një dëshirë për të ndryshuar kryqin e Shën Xhorxhit, ekspertët e industrisë thonë se për të krijuar dhe më pas prodhuar një komplet të ri uniforme, do të duheshin gjashtë deri në nëntë muaj.
PANORAMASPORT.AL