Pasditja e së mërkurës ishte e rezervuar për një ngjarje të veçantë dhe tejet domethënëse për fëmijët që në të ardhmen synojnë futbollin evropian.
Në kampin nacional të FFK-së, në Hajvali, edhe zyrtarisht u bë hapja solemne e kampit të futbollit nga klubi i madh i Turqisë, Galatasaray.
Ky kamp i Galatasarayt, që për herë të parë po mbahet në Kosovë, u mundësua me bashkëpunimin e Shkollës së futbollit “Besëlidhja” nga Prishtina.
Stërvitjet e këtij kampi do të mbahen sipas programit të Galatasarayt dhe do të monitorohen nga Hakan Bulut, koordinatori i akademisë së ekipit nga Turqia.
Vet Bulut që mori fjalën në hapje të kampit, u shpreh tejet i lumtur me organizimin e kampit në Prishtinë dhe numrin e fëmijëve.
Bulut tha se ky është vetëm njëri prej shtatë kampeve që Galatasaray këtë verë do t’i mbajë nëpër Evropë, duke filluar nga Kosova.
Gjithashtu, Bulut insistoi se gjatë këtyre ditëve do të bëhet një punë e mirë, falë bashkëpunimit me trajnerët vendor dhe organizatorëve që janë kujdesur për secilin detaj.
“7 kampe këtë verë dhe i pari në Kosovë që po e mbajmë. Jemi shumë të lumtur që jeni pjesë e kampit dhe gjatë këtyre 5 ditëve do të bëjmë një punë shumë të mirë. Shpresojmë që edhe ju të tregoni performancë të mirë dhe të na ndihmoni në këtë aspekt. Dua të falënderoj stafin e trajnerëve që do të punojnë me neve dhe organizatorët e këtij kampi“.
Rreth 100 fëmijë, prej moshës 6 deri në moshën 17-vjeçare, ishin tejet të emocionuar që do të fillonin stërvitjet dhe do të ishin pjesë e kampit të Galatasarayt.
Fëmijët u ndanë në disa grupe dhe punuan për dy orë të plota në fushat e kampit nacional nën kujdesin e stafit profesional të Galatasarayt dhe trajnerëve vendor të angazhuar nga SHF “Besëlidhja”.
Organizatorët pranuan se kërkesat ishin të shumta për pjesëmarrje në kampin e Galatasarayt por numri i fëmijëve ishte i limituar, në mënyrë që të zbatohet tërësisht programi i klubit të madh turk.
Kampi i Galatasarayt, do të zgjasë deri të dielën.