Shtatë ndeshje në pak më shumë se një muaj që do të thonë shumë për ambiciet sezonale të Milanit. Ajo që e pret Piolin dhe djemtë e tij është një turne i vërtetë, me sfida të vështira në kampionat, ndërsa në Champions janë jetike për avancimin në 1/8-at e turneut.
“Djalli” do të nisë sot me duelin kundër Kaljarit e për të vazhduar më pas me Lacion, Borusian e Dortmundit e Xhenoan në stadiumin “Marasi”, përpara udhëkryqit tresh të frikshëm kundër Juventusit, PSG-së dhe Napolit për të mbyllur një muaj vërtet ferri dhe shumë emocionues.
Gjithsesi, nëse të fitosh të ndihmon që të fitosh në vazhdimësi, atëherë objektivi kryesor dhe i detyrueshëm për kuqezinjtë janë marrja e 6 pikëve në kampionat përballë dy skuadrave të përballueshme teknikisht si Kaljari e Xhenoa, pavarësisht se me të dyja do të luajë në transfertë.
Në mes të tyre është një tjetër transfertë, ajo brenda “Murit të Verdhë” të Borusias së Dortmundit, i cili do të jetë gjithashtu një 90-minutësh që nuk mund të gabohet, pas barazimit pa gola në shtëpi kundër Njukasëllit.
Me çfarë është parë deri tani, gjermanët nuk janë ajo skuadra e vjetshme, e cila kishte një vazhdimësi të frikshme dhe gabimin e vetëm e bëri në javën e fundit, duke i falur Bajernit të Mynihut titullin në Bundesligë. Por me një tifozëri si ajo tyrja, e cila di se si të karikojë të vetët dhe të frikësojë çdo rival, pa dyshim që vështirësitë për të fituar në Europë do të jenë shumë të mëdha.
Por pasazhi më i rëndësishëm do të jetë ai mes 22 dhe 29 shtatorit, ku dueli me Juventusin në “San Siro” dhe me Napolin në transfertë do t’i tregojë trajnerit Pioli nëse skuadra e tij është vërtet e aftë që të konkurrojë për titullin kampion.
Sikur të mos mjaftonte ky koeficient i lartë vështirësie për Serinë A, në mes tyre futet edhe PSG-ja, e cila vërtet do të bëjë vizitë në “San Siro”, por francezët, pavarësisht se kanë humbur yje si Mesi, Nejmar e Verrati mbeten pa dyshim një mysafir i rrezikshëm, ndonëse më presion sesa forca e PSG-së do të ofrojë detyrimi për të bërë pikë dhe për të vazhduar aventurën të qetë, në fazën e grupeve të Champions-it.
Gjithsesi, nëse kalendari i 7 ndeshjeve të ardhshme është thjesht i çmendur, Milani duhet të hedhë hapin e parë, duke fituar mbrëmjen e sotme me çdo kusht me Kaljarin për të rritur dozën e vetëbesimit dhe për të qenë më i qetë për sfidat në vazhdim.
PANORAMASPORT.AL