Saturday, 4. April 2026
Sport

Nisin punimet në Qendrën Nacionale të xhudos, në Pejë

GS 12/12/2025 2 Min. Lesezeit

Xhudistët elitarë të Kosovës pritet shumë shpejt të shfrytëzojnë kapacitetet e plota të Qendrës Nacionale në Pejë.
Duke nisur nga dita e premte, kanë filluar punimet për ndërtimin dhe funksionalizimin e plotë të Qendrës Nacionale, e cila aktualisht përbëhet nga një sallë e bukur dhe e kompletuar për stërvitje të xhudos, në të cilën janë edhe disa zyra dhe hapësira përcjellëse.

Përzgjedhësi i Kosovës në xhudo, Toni Kuka, përmes një njoftimi në Facebook, ka bërë të ditur për fillimin e punimeve në Qendrën Nacionale.

“Sot me mëngjes në pjesën më të bukur të qytetit tim ekskavatorët filluan punën për ndërtimin e Qendrës Nacionale të xhudos! Investim i MKRS në marrëveshje me federatën tonë! Aty ku u ndërtuan 5 medaljet Olimpike prej tyre 3 të arta do bahet një qendër moderne për sportin e xhudos”, ka shkruar Kuka.

Kompleksi, ndër të tjera, do të përmbajë palestrën sportive, sallën, zhveshtoret dhe tualetet, një tribunë për 700 shikues, hapësirën e duhur për media, 52 dhoma për akomodim dhe bujtina shtesë, objektin me pishina dhe salla fitnesi.

Në këtë kompleks planifikohet të mbahen garat e xhudos në Lojërat Mesdhetare që mbahen në Kosovë në vitin 2030.

Xhudistët e Kosovës ka kohë që shquhen për suksese kulmore ndërkombëtare. Në xhudo Kosova i ka tri medalje të arta olimpike dhe pesë medalje olimpike në total.
Me hapjen e Qendrës Nacionale të Xhudos organizimi i këtij sporti në vend ka kaluar në nivel më të lartë. Me kompletimin e kësaj qendre Kosova do të bëhet destinacion i rëndësishëm i xhudos në Evropë.

Teilen: