Sunday, 15. November 2026
Sport

Një dekadë me Maratonën e Tiranës, 5800 garues vrapuan në kryeqytet, mbështetje edhe kauzave të ndryshme shoqërore

GS 15/11/2026 3 Min. Lesezeit

Nisja u bë nga Sheshi Italia. Maratona e Tiranës zhvilloi këtë vit edicionin e saj të dhjetë.

Eventi më i madh sportiv nisi në orën 09:00, me pjesëmarrjen e afro 5800 garuesve shqiptar e të huaj të grupmoshave të ndryshme. Nga stendat e ngritura, deri në finish, pjesë e kësaj maratone të sivjetshme ishte edhe gara 5 km.

Me një pjesëmarrje të gjerë dhe masive, kjo maratonë ishte jo vetëm mundësi vrapimi, nën efektin e garës por edhe mbështetje e kauzave shoqërore. Fëmijët e qendrës “Lumturo Dhimbjen’’ vrapojnë në emër të autizmit për të katërtin vit radhazi.

“Për të parë përtej autizmit tek familjet e tyre, tek problematikat që janë të padukshme”, tha Brixhilda Muça.

Është maratona e katërt që qendra zhvillon së bashku me klubin ‘Vrapale’. Nën kauzën ‘Run for Autism’. Rëndësia madhore e kësaj nisme është për faktin që të vëmë në dijeni që autizmi nuk mbaron me fëmijërinë”.

Prania në shoqëri dhe përfaqësimi në të gjitha fushat shoqërore mbetet për këta fëmijë e të rritur ende një sfidë. Por kjo nuk ua heq gjithsesi emocionet e garës dhe emocionet që reflektojnë sytë që shkëlqejnë.

Një nga momentet më të veçanta ishte vlerësimi i grupit “Wee To”, të përbërë nga persona me aftësi të kufizuara që përcollën mesazhin e gjithëpërfshirjes dhe mundësive të barabarta në sport.

2 orë 35 min 35 sekonda, është rekordi që u vendos nga Luiza Gega fituese e maratonës për femra, për distancën 42 km. Në kategorinë e meshkujve vendin e parë e zuri Fatjon Konomi. Dmytro Didovodiuk dhe Elizabeta Marku zunë vendet e para në garën 10 kilometra, ndërsa Bledar Mesi dhe Redia Dauti triumfuan në distancën 21 kilometra. Çmimet për pjesëmarrësit e këtij grupi u ndanë nga nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Etleva Bisha, e cila vlerësoi mesazhin e rëndësishëm që ata përcollën për shoqërinë.

Ky aktivitet u shtri në rrugët kryesore të qytetit, ndërsa Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit hartuan një plan masash për devijimin e qarkullimit të automjeteve deri në orën 16:00.

/rtsh.al/

Teilen: