Aventura e tij me Shqipërinë do të nisë në janar të këtij viti, kur u prezantua si trajneri i ri i kombëtares shqiptare në prag të nisjes së fushatës kualifikuese për Euro Gjermani 2024. Që prej asaj dite Sylvio Mendes Campos Junior së bashku me ndihmësit e tij Pablo Zabaleta, Dorival Guidoni Junior dhe stafi teknik nisën nga puna për të përgatitur skuadrën për këtë rrugëtim të ri.
Ish-futbollisti i njohur brazilian, me një eksperiencë të pasur edhe si trajner, vendosi që në fillim të qëndronte në Shqipëri së bashku me stafin, duke punuar çdo ditë në zyrat e FSHF-së për të përgatitur debutimin dhe sfidën e Europianit.
Pas katër muajsh në vendin tonë, Silvinjo jep impresionet e tij për Shqipërinë, por edhe për debutimin ndaj Polonisë dhe vlerëson përkushtimin e treguar nga kuqezinjtë.
“Ndihem shumë mirë në Tiranë, një qytet shumë i bukur, eksperiencë e madhe në jetën time. Ushqimi është shumë i mirë, njerëzit janë gjithashtu shumë të sjellshëm. Sa i përket punës, jemi gjithë ditën në zyrat e FSHF, e nisim ditën e punës në ora 9:00 dhe punojmë deri në ora 16:00 apo edhe deri në ora 18:00 të pasdites. Kemi pasur rastin të punojmë me djemtë e Kombëtares në fushë herën e parë për ndeshjen me Poloninë, janë seriozë në punë dhe profesionistë të nivelit të lartë. Jam i kënaqur prej tyre dhe nga e gjithë puna që kemi bërë këtu”, – thotë trajneri i Kombëtares në një intervistë për Fshf.org.
Më tej, tekniku shpjegon edhe punën që po bën aktualisht dhe takimet që ka pasur me lojtarë gjatë kësaj periudhe, gjë që ai e cilëson si shumë të rëndësishme për të krijuar marrëdhënie sa më të mira me grupin.
“Herë pas here shkojmë në Itali, Zvicër, Portugali, Spanjë apo Angli për të takuar dhe folur me lojtarët, për t’i dëgjuar ato. Besoj shumë te kjo punë, që të shkosh te lojtari aty ku është, të flasësh me të sy më sy dhe të dish se si është për të krijuar marrëdhënie të mira me ta. Kjo është ajo që ne po bëjmë.
Kur shkojmë diku dhe flasim me lojtarët, për të folur dhe për t’i dëgjuar se si shkojnë gjërat, herë pas here takojmë edhe lojtarë të cilët janë të dëmtuar. Më vjen shumë keq kur një lojtar nuk mund të zbresë në fushë dhe të stërvitet, por edhe një përqafim dhe një takim për të folur me ta është një moment i rëndësishëm për ne në kuptimin që pas përfundimit të kampionateve duhet menaxhuar rikthimi i lojtarëve të ftuar në grumbullim për ndeshjet e Kombëtares, edhe kjo është shumë e rëndësishme”, – shprehet Silvinjo.
Sakaq, përpara janë dy sfidat e radhës të Evropianit, ato ndaj Moldavisë në shtëpi dhe Ishujve Faroe në transfertë, dy sfida shumë të rëndësishme në këto kualifikuese. Për Silvinjon duhet menaxhuar mirë rikthimi i lojtarëve pas dëmtimeve, ndërsa është i bindur se me mbështetjen e tifozëve Kombëtarja do të japë maksimumin dhe do të dhuruar një paraqitje shumë të mirë.
“Kemi takuar shumë lojtarë për të menaxhuar sa më mirë rikthimin e tyre me Kombëtaren dhe për t’u përgatitur sa më mirë për këtë grumbullim, pasi kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme. Për të menaxhuar rikthimin e lojtarëve me kombëtaren është një moment paksa i vështirë sepse kampionatet përfundojnë në data të ndryshme dhe duhet që lojtarët të kuptojnë rëndësinë.
Ne e dimë që janë dy ndeshje të vështira, nuk ka asnjë ndeshje të lehtë, ne nisim rrugëtimin tonë dhe duhet të luftojmë fort për objektivin tonë. Në ndeshjen me Moldavinë me shumë mundësi do ta kemi stadiumin plot me tifozët tanë, një stadium i ri e i bukur dhe tifozët do të na mbështesin, të na motivojnë e të ndihmojnë skuadrën, kjo është diçka shumë e rëndësishme.
Ne zbresim në fushë për të dhënë 100%, me shumë dëshirë dhe tifozët presin nga ne që të tregojmë në fushë zemrën dhe shpirtin e duhur, organizim i mirë, ritëm dhe atë që duam ne nga kjo skuadër. Dhe ne i kemi këto elementë, lojtarët janë të bindur për këtë objektiv dhe shkojmë për të bërë një ndeshje të mirë, jam i bindur. Forca Shqipëri!”, – shprehet Silvinjo në intervistën e tij për Fshf.org./ FSHF