Ku do të luajë Paul Pogba pas pezullimit? Mesfushori francez, futbollist i lirë pas zgjidhjes së kontratës me Juventus më 15 nëntor, ka disa opsione; shumë ekspertë dëshirojnë ta shohin atë te Olympique Marseille, por në javët e fundit është shfaqur një pistë e re që e lidh atë me Corinthians-in, në Brazil.
Një mundësi që ka entuziazmuar tifozët dhe disa “sponsorë” të pazakontë. Faqja e eskortave ‘Fatal Model’ (që më parë kishte tentuar të sponsorizonte Vitoria Bahia) ka njoftuar në rrjetet sociale se do të angazhohej të mbulonte një pjesë të pagës së lojtarit francez nëse ai transferohej te Corinthians.
Sipas raportimeve, ata kanë ofruar nga tre deri në katër milionë realë (rreth 460,000 deri në 620,000 euro) në këmbim të ekspozimit të markës së tyre në produktet zyrtare të klubit.
Në deklaratën e publikuar në kanalet e tyre zyrtare, ‘Fatal Model’ madje pohon se ka nisur kontakte me klubin:
“Fatal Model konfirmon se ka filluar negociatat me Corinthians-in për një sponsor që do të mundësonte nënshkrimin me Paul Pogba-në. A mund ta imagjinoni ‘yllin’ francez duke veshur fanellën e Timão-s? Propozimi ynë është të bashkëpunojmë për të realizuar këtë ëndërr. Do të ishe i mirëpritur në Brazil, Pogba! Do të të prisnim me krahë hapur.”
Ky njoftim ka shkaktuar sigurisht siklet për klubin e São Paulos, i cili reagoi disa orë më vonë:
“Departamenti i Marketingut i Sport Club Corinthians Paulista njofton se ka marrë një email nga kompania ‘Fatal Model’, por nuk ka asnjë negociatë në zhvillim. Klubi falënderon kompaninë për interesimin e saj.”