Minutat shtesë të ndeshjes mes Young Boysit dhe Baselit ishin të zjarrtë. Fillimisht lojtari i Young Boysit, Ebrima Colley e shtyu Xherdan Shaqirin, e pak sekonda më vonë ylli i Baselit e zgjati bërrylin dhe preku gjoksin e lojtarit kundërshtar. 34-vjeçari Shaqiri u ndëshkua me karton të verdhë, ndërsa “Blick” ka bërë pyetjen nëse kartoni i verdhë ishte i mjaftueshëm.
Ndeshja derbi e Superligës së Zvicrës përfundoi 0:0.
Eksperti i referimit në futbollin zviceran, Urs Meier, ka theksuar se kartoni i verdhë ishte vendim i drejtë.
“Natyrisht, skena jep përshtypjen se ishte për karton të kuq. Shaqiri shikoi prapa, e pa Colleyn duke ardhur dhe zgjati bërrylin e tij. Tani vjen ‘por’ e madhe. Ai nuk goditi kundërshtarin, siç mundohet kundërshtari ta paraqesë situatën”, ka thënë 66-vjeçari.
Sipas Meierit, Shaqiri vetëm vendosi trupin si pengesë ndaj kundërshtarit dhe zgjati bërrylin.
“Për mua është karton i verdhë, jo i kuq, pasi veprimi nuk u pasua me goditje”.
Meier ka lavdëruar arbitrin që e pa situatën në fushë dhe jo vetëm me videoincizim.
Pas ndeshjes së luajtur të dielën, për këtë situatë folën edhe dy trajnerët. Trajneri i Baselit, Ludovic
Magnin po ashtu vlerëson se kartoni i verdhë ishte veprim i drejtë.
“Nëse do ta godiste më lart, do të mund të flisnim për ngjyrën e kartonit. Kështu është situatë 50-50”, ka theksuar Magnin.
Trajneri i Young Boysit, Gerardo Seoane ka mendim tjetër.
“Të shfrytëzosh duart për të ruajtur topin, kjo më nuk është e mundur në futboll”. Ai ka thënë megjithatë se vendimi ishte në rregull, ndonëse do të dëshironte që ngjyra e kartonit të treguar nga arbitri të ishte tjetër.
Young Boysi mbeti me një lojtar më pak në fushë për ndërhyrje pikërisht në Shaqirin. Boshnjaku Armin Gigoviq u përjashtua në minutën e 48-të pas kartonit të dytë të verdhë.
Gigoviq i ka thënë trajnerit se ka rrëshqitur në situatën që i kushtoi me kartonin e dytë të verdhë.
Me barazim, Baseli lëshoi pikë të rëndësishme në garën për titull. Pas xhiros së 12-të i ka 22 pikë, gjashtë më pak se Thuni i vendit të parë.


