Legjendat jetojnë mes numrave dhe janë pikërisht ato që i bëjnë të pavdekshëm. Ndonëse në rastin tonë nuk po flasim për një sulmues, sërish Xhanluixhi Bufon ka ditur që të bëjë mrekulli me pritjet e tij, aq sa falë tyre ka marrë edhe pseudonimin e “Supermenit”.
Por “Supermen” Bufonin e bëjnë mbi të gjitha numrat e arritura në karrierë, një vazhdimësi e frikshme, e cila do të kërkojë vite, ndoshta edhe dekada që të shtyhen nga dikush tjetër. Prandaj le të bëjnë një udhëtim në rekordet e vendosura nga 45-vjeçari.
REKORDE INDIVIDUALE
– Futbollisti me më shumë prezenca në historinë e Serisë A (657)
– Portieri me serinë më të gjatë të pathyeshmërisë në historinë e Serisë A (974 minuta pa pësuar gol), duke lënë pas respektivisht Sebastiano Rosin me 929 minuta dhe Xhanpiero Kombin me 934.
– Portieri me më shumë ndeshje radhazi pa pësuar gol në Serinë A (10 ndeshje).
– Portieri që ka mbajtur më shumë se kushdo tjetër portën e paprekur në Serinë A, në epokën e tri pikëve (237 ndeshje)
– Portieri italian me më shumë prezenca në rang klubesh (975 ndeshje)
– Futbollisti që ka fituar numrin më të madh të kampionateve italiane në Serinë A (10 tituj).
– Futbollisti që ka fituar më shumë se kushdo tjetër Kupën e Italisë (6, njësoj si Roberto Mançini).
– Futbollisti që ka fituar më shumë se kushdo tjetër Superkupën e Italisë (7 herë).
– Futbollisti me më shumë prezenca në historinë e Superkupës së Italisë (9 finale, po aq sa Dejan Stankoviç).
– Një prej 6 lojtarëve në histori, së bashku me Antonio Karbahal, Rafael Markez, Lotar Mateus, Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo, që kanë marrë pjesë në 5 Botërorë të ndryshëm (në 1998 nuk zbriti në fushë, më pas protagonist në 2002, 2006, 2010 dhe 2014).
– Portieri më i moshuar që ka pritur një penallti në Serinë A (mosha 43 vjeç, 3 muaj e 14 ditë.
REKORDET ME JUVEN
– Futbollisti që numëron më shumë prezenca në kampionatet (përfshirë edhe Serinë B) me bluzën e Juventusit (526).
– Futbollisti me më shumë prezenca në Serinë A, me bluzën bardhezi (489).
– Futbollisti me më shumë minuta të luajtur me bluzën e Juventusit, në historinë e Serisë A.
– Futbollisti me numrin më të lartë të prezencave në Kupë Kampionesh/Ligë Kampionesh me bluzën e Juventusit (117 ndeshje).
– Futbollisti më me shumë prezenca në Superkupën e Italisë, me bluzën e Juventusit (8 finale).
– Futbollisti me më shumë minuta të luajtura në të gjitha kompeticionet me bluzën e Juventusit.
– Futbollisti që ka fituar numrin më të lartë të trofeve në historinë e Juventusit (23 trofe).
REKORDE ME ITALINË
– Futbollisti me më shumë prezenca në historinë e Kombëtares “axurre” (176 ndeshje).
– Futbollisti me më shumë prezenca si kapiten në përfaqësuese (80 ndeshje).
Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL