Shpresat për të shtuar presion tek Interi pak orë përpara se zikaltrit të zbrisnin në fushë në Empoli dhe Juventusi ta gdhinte në krye të renditjes të dielën, u zhgënjyen. Madje, “zonja e vjetër” frenon aq keq në Rexho Emilia, ku jo vetëm u mund 4-2 nga Sasuolo, por gjatë sfidës ofroi edhe disa gafa të denja për filmat e Fantocit. Humbja e parë sezonale e bardhezinjve ishte më shumë sesa thjesht një hap prapa, kundrejt paraqitjeve të fundit.
I përhershmi Kieza, sërish me gol (i katërti në kampionat) nuk mjaftoi për të shmangur disfatën, e ardhur pas një gafe të Sheznit në golin e parë, përgjumjes së Danilos në golin e Berardit e të Pinamontit (që çuan ndeshjen në 2-1 dhe 3-2), por edhe një shpërqendrimi të Gatit që ofron një autogol, i cili është pak ta quash qesharak që ngriu shifrat finale në 4-2.
Dhe kaq mjafton që duke parë edhe fitoren e Interit dje, zikaltrit t’ia mbathin në +5 pikë, duke tentuar arratinë e parë sezonale në Serinë A. Dhe të mendosh që Alegri e kishte paralajmëruar përpara ndeshjes, se kishte disa ditë që shihte një eufori të frikshme dhe, mesa duket, nuk e kishte aspak gabim.
Çfarë është më e keqja, mesazhin e tij dukej se nuk e kishin kuptuar asnjë nga lojtarët e tij, me përjashtim të Federiko Kiezës. Por cilat ishin arsyet e kësaj rënieje të rrezikshme, e cila tërboi Alegrin? “Gazzetta dello Sport” ofron 5 të tilla, duke parë udhëtimin e deritanishëm të Juventusit.
1) QASJA PSIKOLOGJIKE
Alegri e kishte paralajmëruar euforinë, por as kjo nuk mjaftoi që dikush të rikthehej me këmbë në tokë. Madje, duke parë ndeshjen, fakti që dy ndër ushtarët e tij më të besuar dukeshin më në ajër sesa të gjithë, Shezni dhe Danilo, që me gafat e tyre vendosën fatet e humbjes, atëherë qasja psikologjike te Juventusi qenka një diagnozë e rrezikshme, e cila duhet nisur të kurohet sa më shpejt.
Madje, edhe në pasazhin e parë të rrezikshëm ndaj Bolonjës, ku gjithashtu Alegri kishte paralajmëruar kujdes, skuadra nuk e mori mesazhin dhe ngeci në një barazim, por humbja e djeshme ishte më shumë sesa thjesht një aksident. Dhe tani shpresohet që kjo humbje të mos ketë lënë një plagë të madhe, në pritje të mbrëmjes së nesërme, kur në Torino do të bëjë vizitë një prej skuadrave më në formë të kampionatit, Leçe, skuadra e tretë më e fortë e Serisë A, pas 5 ndeshjeve të para.
2) GABIME INDIVIDUALE
Nëse ka një rol në fushë që të dënon më shumë se të tjerët, ai është i portierit, ku çdo pritje e munguar, apo edhe një tentativë bllokimi në dukje e sigurt, por e rrëshqitur nga duart dënohet me gol. Dhe Shezni bëri dy gafa të frikshme.
E para ishte e pafalshme, por edhe në rastin e golit të tretë, ku grushtimi mund të ishte mbi traversë dhe jo të lihej në zonë duke u shndërruar në një asist për Pinamontin.
Pastaj, përgjumja e kapitenit dhe liderit të prapavijës, Danilos, në momentin e golit të Pinamontit, duke e lënë totalisht në hyrje të zonës së vogël të portierit nuk falet. Dhe në fund Gati, një kthim prapa amatoresk, menjëherë sapo merr topin nga Shezni. Këto ishin disa momente që konfirmuan të gjithë frustrimin e lojtarëve bardhezinj ndaj Sasuolos.
3) MESFUSHA NË HIJE
Mes njerëzve të përdorur nga Alegri në mesfushë, më i miri ishte Faxholi, për më tepër i ardhur nga stoli, duke i risjellë skuadrës palexho, kontroll më të madh të topit, por edhe ato pasimet vertikale që sollën edhe golin e 2-2 të Kiezës.
Po pjesa tjetër? E gjitha në ajër… Lokateli që si “ish” duhej të ishte më i karikuari, thjesht nuk bënte dot dy pasime të sakta së bashku. Mireti justifikoi zëvendësimin pas pjesës së parë, pasi nuk ofroi asgjë që të mbahej mend, qoftë edhe për statistikë. Por kur edhe lideri i repartit, Rabio, për një natë u kthye ai i kohëve të turbullta, duke mos marrë përsipër asnjë përgjegjësi, qoftë nga ana fizike, ashtu sikurse teknike, atëherë u ke dhuruar gjysmëfushën rivalëve në një pjatë floriri.
4) ZERO GODITJE NË
78’ Nuk nevojiten shumë fjalë… Nëse barazimi 1-1 momental i Juves erdhi pas një autogoli të Vinjas, pas tij duhej të kalonin 78 minuta, kur Kieza dërgoi topin në rrjetë për 2-2 momental, ajo përkonte edhe me gjuajtjen e parë të Juventusit në portën e Sasuolos. Mjafton më shumë se kaq për të kuptuar ndeshjen e shëmtuar dhe humbjen e merituar?!
5) PANKINA “QAN”
Pas 122 ndeshjesh, trajneri Alegri mori guximin që të konfirmojë të njëjtin formacion për dy takime radhazi, por pasi shumica e titullarëve ishin në ekstazë, duke e luajtur ndeshjen në mënyrën më të gabuar, ndaj Sasuolos as zëvendësimet nuk dhanë efekt.
I vetmi që tentoi të bëjë diçka ishte Faxholi, që i dha hov mesfushës, por nga të tjerët erdhi zero reagim. Ueah, pas elozheve fillestare ka humbur shpejtësi e shkëlqim, ndërsa Ken e Milik, edhe pse luajtën për pak minuta, nuk sollën asnjë ndryshim, duke iu fshehur shpesh topit në fushë. Dhe ndeshja me Leçen vjen shumë shpejt, mundësia për të kuptuar se sa e kanë asimiluar dhe kuptuar gafën e bërë në Rexho Emilia djemtë e Alegrit…
Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL