Pak orë përpara Tottenham-Nottingham Forest, sfidë e javës së 32-të në Premier League, është gjetur një kufomë pranë stadiumit “Tottenham Hotspur”.
Një denoncim bëri që forca policore të mbërrinin afër stadiumit të ekipit londinez gjatë mëngjesit të së dielës. Aty ku u gjet trupi i një burri.
I cili kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të shkaktuara nga goditjet me thikë. Ngjarja ka tronditur tifozët e Spurs dhe jo vetëm.
Gjithsesi, ndeshja do të luhet. Autoritetet kanë vendosur që plani të mos ndryshojë, kështu që Tottenham-Nottingham Forest do të fillojë në orën 19:00.
“Pas një incidenti në të cilin një individ humbi jetën, ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar hetimin e policisë, hetim i një rëndësie të madhe.
Ne do t’i përditësojmë me informacion tifozët sa më shumë që të jetë e mundur dhe do t’u kërkojmë të jenë të durueshëm.
Mendimet tona janë me familjen e viktimës dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo ngjarje”, lexohet në komunikatën zyrtare të Tottenhamit.