Kur flasim për makineritë bavareze, shumë mund të mendojnë industrinë e automobilave, “BMW”, “Audi”, “Porsche”… Por termi makineri ka nisur të përdoret gjithnjë e më shumë edhe në botën e futbollit. I kthyer në një industri më vete, me të drejtë flitet për një makineri që gjeneron miliona e miliarda. Dhe në Bavari, tek Bajerni i Mynihut, kanë vite që kanë nisur të investojnë.
Supremacia që fshihet pas të famshmes bavareze “Mia San Mia” përcakton në mënyrë të përsosur mentalitetin që Bajerni i Mynihut rrënjos në yjet e tij të ardhshëm, në kërkim të Tomas Mylerit të ardhshëm. “Myler, Lahm apo Shvajnshtajger janë ambasadorët më të mirë që mund të kemi”, thotë Dirk Hauzer, menaxheri i medias i “FC Bayern Campus”. Imazhi i Tomas Mylerit në një nga hyrjet e kampusit të Bajernit dhe fraza e tij “Mia San Mia do të thotë të kesh vetëbesim të madh, besim absolut te suksesi. Të bësh gjithçka për të fituar. Vazhdo të përpiqesh edhe pas pengesave” është ajo çfarë personifikon ky klub për lojtarët e tij. Në kampusin e Bajernit, të inauguruar në vitin 2017, janë investuar 70 milionë euro. Ka tetë fusha me ngrohje, një palestër, një restorant, një rezidencë për 35 “të burgosur”, mësues, psikologë… dhe pamje nga “Allianz Arena”. “Kjo duhet të shërbejë si motivim i tyre. Është destinacioni përfundimtar” sugjeron Hauzer.
ALTINTOP – Jo të gjithë i bashkohen kampusit të Bajernit, natyrisht. Në këtë kampus, i cili drejtohet nga Halil Altintop, ka nëntë ekipe – ekipi rezervë stërvitet së bashku me ekipin e parë në “Sabener Strasse” – dhe gjithsej 180 lojtarë, duke përfshirë dy spanjollë, Havi Fernandez dhe ish-lojtari i Barçës, Adam Aznu. “Më parë vinin këtu në moshën tetë vjeç, por tani fillojnë në moshën 10 vjeç. Ne mendojmë se është më mirë të rriten në klubet e tyre lokale dhe të merren me sporte të tjera, jo vetëm me futboll”, nënvizon ai.
SISTEMI I REKRUTIMIT – Ai i rekrutimit është një sistem i sofistikuar dhe i ndërlikuar në Mynih. Në akademinë e gjigantëve bavarezë operojnë tetë skautë (zbulues talentesh) me kohë të plotë. Filozofia e tyre ka shumë të bëjë me filozofinë e “Mia San Mia”: edhe për kadetët nënshkruajnë vetëm lojtarë nga Bavaria [brenda një rrezeje prej 100 kilometrash nga Mynihu]. “Për të nënshkruar me dikë, duhet të jemi shumë të bindur se lojtari që vjen është më i mirë se ata këtu”, këmbëngul menaxheri i medias i “FC Bayern Campus”. Një tjetër postulat kur vjen puna te Bajerni është ai i Franc Jon, themeluesi dhe presidenti i parë i këtij klubi:
“Bajerni duhet të jetë një klub që frymëzon njerëzit përmes suksesit sportiv dhe performancës së tyre për futbollin”. “Kam ardhur te Bajerni në vitin 1995 dhe për fat të keq, kampusi nuk ekzistonte. Akademia tani është bërë shumë profesionale. Është një nder, duke qenë nga Mynihu, të luaj për ekipin më të madh në qytet. Çdo vit bëhet një përzgjedhje e rëndësishme. Performanca vlen, por vlerësohet edhe disiplina, duke ditur të përballojë presionin… Është e rëndësishme që klubet e mëdha të kenë lojtarë nga akademia e të rinjve në ekipin e parë, sepse gjenerojnë një shkallë të konsiderueshme identifikimi”, thotë Filip Lahm, lojtar i akademisë dhe legjendë e Bajernit.
KTHIMI TE MODELI KLASIK – Hauzer ka folur edhe për Pep Guardiolën dhe ndikimin e tij. Pa shumë dorashka ai ka nënvizuar se spanjolli sikur e largoi disi Bajernin nga “klasikja” e këtij klubi, një filozofi që ka nisur të rivendoset në Mynih. “Guardiola erdhi dhe pati një ndikim të madh. Të gjithë trajnerët donin të luanin si Pep. Jo vetëm këtu, në të gjithë Gjermaninë: kishte një tepricë të mesfushorëve dhe mungesë sulmuesish. Në një farë mase humbëm bazat tona dhe tani ne janë kthyer në rrënjët tona: të kesh zotërimin, rikuperimin e shpejtë…”, sugjeron Hauzer.
PRODUKTI – Kampusi i Bajernit tashmë ngjan gjithnjë e më shumë me një “fabrikë” që ka filluar të japë fryte nën komandën e Tomas Tuhelit: Musiala – megjithëse erdhi nga Çelsi – Ibrahimoviç, Buhman… Janë shtatë-tetë futbollistë të ekipit të parë që kaluan nga akademia. Hapi tjetër është që ata të marrin më shumë minuta, siç ndodh te Fraiburgu apo Mainci, por është shumë e vështirë të jesh 18 vjeç dhe të përballosh presionin e të luajturit për Bajernin.
SEKRETI – Bajerni ka gjithashtu një “armë” sekrete: një qendër unike modernizimi në botë që ofron mundësinë për të rikrijuar atmosferën dhe presionin e përjetuar në “Allianz Arena”, duke vënë në provë aftësitë e futbollistëve. “Është një burim i jashtëzakonshëm i të dhënave. Na lejon të analizojmë dhe krahasojmë lojtarët, duke theksuar pikat e forta dhe të dobëta të tyre”, thotë Hauzer. Tomas Myleri i radhës është rrugës…
PANORAMASPORT.AL