Sergi Roberto do të jetë kapiteni i parë i Barcelonës në sezonin e ri teksa mesfushori shprehet mjaft i lumtur për këtë fakt. 31-vjeçari theksoi se për të është një hap i madh në karrierë, ndërsa shtoi se është një nder i madh të ndjekë hapat e ish-kapitenëve të katalanasve si Puyol apo Messi.
“Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar, është një hap i madh në karrierën time. E kam kaluar gjithë jetën time në këtë klub dhe ndjehem krenar. Isha një nga katër kapitenët e skuadrës në të shkuarën, por tashmë që jam kapiten i parë është një përgjegjësi e madhe. Shiritin më parë e kanë mbajtur emra si Puyol, Messi, Busquets, Xavi apo Iniesta.
Të ndjek gjurmët e këtyre futbollistëve, por edhe miqve shumë të mirë është një nder për mua. Dua të falenderoj edhe tre kapitenët e tjerë, Ter Stegen ka qenë një ndër kapitenët edhe në të kaluarën, por Araujo dhe De Jong janë të rinj në këtë rol. Do të bëjmë një skuadër të madhe.
Merkato? E dimë situatën e klubit, edhe nëse nuk vijnë lojtarë të rinj, skuadra sërish është e fortë dhe konkuruese. Besoj se lojtarët që kanë ardhur në këtë merkato do të mund të federohen në kohë dhe të jenë gati për ndeshjen e parë të kampionatit. Kam besim të madh te klubi dhe mënyra si ata punojnë”, u shpreh Roberto.