Gjermania nuk arriti të bënte thuajse asgjë në Kampionatin Evropian Euro 2020 dhe më 2 korrik të vitit 2021 mesfushori Toni Kroos shpalli lamtumirën nga Kombëtarja gjermane.
Pas tre viteve apo 990 ditëve nga ndeshja e fundit, Toni Kroos është rikthyer në Kombëtare dhe është grumbulluar nga trajneri Julian Nagelsmann ku do të jetë edhe pjesë e Euro 2024.
34-vjeçari ka dalë në konferencë për shtyp duke folur për këtë rikthim duke shpjeguar edhe arsyet e rikthimit në Kombëtare.
“Mezi pres të marr pjesë në këtë garë. Nuk mendoj se kam diçka për të dëshmuar, kjo është ajo që ka rëndësi për mua”.
“Kur trajneri Nagelsmann më telefoni dhe më pyeti nëse do të doja të merrja pjesë në këtë turne, mendova menjëherë se sa mund ta ndihmoja kombëtares”.
“Ia bëra vetes këtë pyetje dhe iu përgjigja se mund ta ndihmoja. Kështu mendon edhe trajneri dhe prandaj ishte një vendim i marrë së bashku”, deklaroi mesfushori gjerman.
Kroos në verë mbetet lojtar i lirë pasi kontrata me Real Madridin skadon dhe ai ende nuk ka marrë një vendim nëse do të pensionohet nga futbolli, do të vazhdoj kontratën me Los Blancos apo do të nënshkruajë me ndonjë skuadër tjetër.
“Nuk ka asnjë problem me klubin. Të shohim, do të flasim më shumë, do ta diskutojmë. Jam ende në fazën e vendimit. Jam prej një kohe të gjatë te Reali i Madridit, nuk mund të ketë asnjë problem mes nesh, të dyja palët janë shumë të qeta. Sezoni po shkon mirë. Ne do të gjejmë një zgjidhje të kënaqshme për të gjithë”, tha Kroos.